Studentët e UBT-së vizituan objekte banesore dhe afariste në Prishtinë

09/01/2019

Studentët e Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Infrastrukturës në UBT, kanë realizuar vizitë studimore në objektin 42-katësh dhe objektin banesor të kompanisë “Nartel” në Prishtinë.

 

Vizita është realizuar në kuadër të lëndës Organizim dhe Teknologji Ndërtimore, nën shoqërimin e profesorëve Muhamet Ahmeti dhe Anjeza Alaj.

 

Studentët janë pritur nga përfaqësuesit e kompanive në fjalë, të cilët i njoftuan me proceset e ndërtimit dhe rrjedhën e punimeve.

 

Tek objekti 42-katësh studentët patën mundësinë të shohin kantieret e ndërtimit, masat që ndërmerren për siguri në punë, teksa panë edhe sanimin e strukturës për shkak të ndryshimeve që ndodhin në projekt, si dhe sistemin skeletor të objektit.

 

Ndërsa, fokusi i vizitës në objektin banesor ishte fasada strukturale dhe teknologjia e montimit të saj.