Studentët e UBT-së vizituan kompaninë “CURE IT” dhe panë nivelin e ndërtimit që kryhet prej saj

13/12/2018

Studentët e nivelit master në Fakultetin Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturës, realizuan vizitë studimore në kompaninë CURE IT, në Prishtinë, ndërkaq më pas dolën edhe në terren, ku vizituan kantierin e kësaj kompanie në fshatin Gracë të Komunës së Vushtrrisë.

Vizita u realizua në kuadër të lëndës “Teknologji Ndërtimore II, nën shoqërimin e ligjëruesve në UBT, Nexhmi Krasniqi dhe Anjeza Alaj.

 

Studentët u pritën nga drejtori gjeneral i kompanisë, Naim Krasniqi, drejtori operativ, Arben Krasniqi dhe eksperti i licencuar, Frank Kadri Krasniqi, nën shoqërimin e të cilëve, ata panë nga afër angazhimin e stafit dhe ndarjen e përgjegjësive, masat e sigurisë në punë, llojet e materialeve që përdoren për izolimin e kulmeve, pllakave, tarracave, etj., si dhe u sqaruan edhe llojet e prodhimit të produkteve nga materiali me fije karboni.

 

Pas pyetjeve të bëra nga studentët, palët u dakorduan që të realizohej vizitë edhe gjatë fazave të tjera të ndërtimit.