Studentët e UBT-së vizituan fabrikën më të madhe në Evropën Juglindore për prodhimin e gypave të çelikut (Foto&Video)

10/12/2018

Në shoqërimin e profesorëve Visar Krelani dhe Arbër Muqaj, studentët e Fakultetit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë, në UBT, kanë realizuar vizitë studimore në Fabrikën e Konstruksioneve Metalike “IMK”, në Ferizaj.

Kjo fabrikë është më e madhja në rajon dhe në Evropën Juglindore për prodhimin e tubave dhe konstruksioneve të çelikut.

Studentët u pritën nga menaxheri i marketingut, Gëzim Mustafa, i cili tha se fabrika përbëhet nga dy reparte, një për prodhimin e tubave me tegel dhe njëri për prodhimin e të gjitha konstruksioneve të çelikut, të cilat kryesisht janë të destinuara për tregun botëror.

Ai theksoi se në kuadër të fabrikës prodhohen elemente me dimensione të ndryshme, kualiteti i të cilëve, sipas Mustafës, është në harmoni me standardet evropiane.

Bashkërisht ata kanë parë nga afër edhe procesin e prodhimit të tubave të çelikut me tegel, të cilët përdoren për sisteme të ndryshme të ujësjellësve, gazsjellësve dhe naftësjellësve në shumë vende të botës.

Ata panë edhe teknologjinë që përdoret në prodhimin e elementeve mbajtëse si kapriatat dhe pjesë tjera që prodhohen për kompaninë Bechtel Enka dhe për kompani tjera evropiane.