Studentët e UBT-së, të impresionuar me punimet që po bëhen në autostradën “Arbën Xhaferi” ( Foto&Video)

28/06/2018

Studentët e vitit të tretë, në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, kanë realizuar vizitë njëditore në autostradën “Arbën Xhaferi”, përkatësisht segmentin e rrugës Hani i Elezit dhe Kaçanik.

Studentët janë impresionuar me punimet që janë duke u bërë në këtë autostradë, të cilët thanë se fituan përvoja profesionale duke parë detajet e punimeve të kësaj autostrade.

Sipas tyre, punimet janë duke u kryer sipas standardeve evropiane dhe autostrada në fjalë është njëri ndër projektet më të rëndësishme të infrastrukturës rrugore në Kosovë dhe rajon.

Kjo vizitë kishe për qëllim që studentët që njihen nga afër me metodat dhe teknikat, si dhe me veprat inxhinierike që realizohen në këto segmente të autostradës nga kompania e njohur në nivel ndërkombëtar “Bechtel & Enka”.

Ata kanë parë nga afër shpimet gjeologo-inxhnierike për vendosjen e pilotëve, shtyllave mbajtëse të urave, vendosjen e ankerave për stabilizimin e shpateve, vendosjen e gabioneve për stabilizimin e shpateve anësore të rrugës, hapjen e kanaleve drenazhuese për largimin e ujërave sipërfaqësore etj.

Aktiviteti u realizua në bazë të planprogramit të punës që zhvillohet në lëndët përkatëse, teksa studentët gjatë vizitës janë shoqëruar nga profesorët e UBT-së, Hysen Ahmeti, Nexhmi Krasniqi, Arsim Rapuca dhe inxhinieri Dardan Thaqi.

Falë kësaj vizite konsiderohet se studentët me përvojën e fituar, mund dhe janë të aftë të zgjidhin probleme inxhinierike për lloje të ndryshme të veprave inxhinierike.