Studentët e UBT-së priten nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Bullgari, Delfin Pllana

21/05/2021

Studentët e UBT-së që janë duke vazhduar studimet në Universitetin Teknik të Sofjes në Bullgari, në kuadër të programit Erasmus+, kanë zhvilluar një vizitë në ambasadën e Republikës së Kosovës në Bullgari, ku janë pritur nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Bullgari, Delfin Pllana.

 

Në cilësinë e udhëheqëses shkencore të studentëve, bashkë me studentët e UBT-së, në vizitë ishte edhe profesoresha e Universitetit Teknik të Sofjes, Galia Marinova, e cila vlerësoi angazhimin dhe punën e tyre, teksa ka falënderuar UBT-në për bashkëpunimin dhe mundësinë që po u jep studentëve për studime të përbashkëta.

 

Ndërkaq, ambasadori i Republikës së Kosovës në Bullgari, Delfin Pllana, ka falënderuar profesoreshën dhe studentët për vizitën e bërë, duke thënë se bashkëpunimet e tilla të suksesshme janë një arsyeje shtesë për të punuar edhe më shumë në shkëmbimin e studentëve mes këtyre dy institucioneve të arsimit të lartë.

 

Sipas ambasadorit Pllana, kjo bëhet edhe më e rëndësishme kur janë parasysh specifikat e profilit studimor, siç është teknologjia informative, një sektor që është promotori kryesor i zhvillimit të çdo segmenti tjetër.