Studentët e UBT-së dhe TU Wien zhvillojnë punëtori ndërkombëtare për planifikimin hapësinor në Austri
17/06/2026Studentët e UBT-së të programit master të Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, së bashku me studentët e Universitetit Teknik të Vjenës dhe profesorët e tyre, Thomas Dillinger, Skender Kosumi dhe Nina Svanda, mbajtën në Vjenë të Austrisë workshopin e dytë njëjavor të këtij semestri, në kuadër të bashkëpunimit tradicional ndërmjet këtyre dy universiteteve.
Nga UBT-ja, monitorimin e studentëve të saj e bënë profesorët Binak Beqaj, Shqipërim Ahmeti dhe Modest Gashi.
Në workshopin njëjavor në Vjenë morën pjesë aktive edhe Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, drejtori i Urbanizmit, Arbër Nuraj, si dhe përfaqësues të drejtorive të urbanizmit të komunave të Pejës dhe Deçanit.
Përveç angazhimit intensiv në workshop-e dhe ligjëratave të profesorëve, programi i studentëve ishte i pasur edhe me aktivitete të tjera, si ekskursionet në Parkun Kombëtar Ötscher-Tormäuer dhe në Seestadt Aspern, mbrëmjet sociale në Heuberg dhe Heurige, si dhe vizitat në garat me kuaj në Krieau të Vjenës.
Studentët e UBT-së, në kuadër të këtij bashkëpunimi të ngushtë dhe të organizuar në grupe të përziera me kolegët e tyre nga TU Wien, kanë treguar nivel të lartë angazhimi dhe pune kreative.
Projektet zhvillimore rajonale shkollore të këtyre dy komunave do të finalizohen në muajin korrik dhe pritet të ekspozohen në UBT, në TU Wien, si dhe në komunat e Pejës dhe Deçanit.








