Studentët e UBT-së bashkëpunojnë virtualisht me studentë të Universitetit të Iowa

13/04/2021

UBT dhe Universiteti i Iowa-s janë duke vazhduar bashkëpunimin, me studentë nga të dy institucionet e arsimit të lartë që janë duke marrë pjesë në kursin e ofruar nga Kolegji i Biznesit Tippie. Studentët e UBT-së po e përfaqësojnë Kosovën në ekipe globale virtuale, në kursin që për fokus ka klimën ndërkombëtare të biznesit, me theks te veçantë do të analizojnë ndikimin e COVID-19 në një industri ose sektor sipas zgjedhjes së tyre.

 

Për këtë bashkëpunim dhe pjesëmarrje të UBT-së me studentët e Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, Universiteti i Iowa-s i ka kushtuar një artikull të veçantë, duke theksuar rëndësinë e kurseve të tilla të organizuara në nivele si kjo.

 

Në këtë artikull, profesoresha e Departamentit për Menaxhim dhe Sipërmarrje, Erin Johnson, ka vlerësuar lartë punën dhe angazhimin që studentët e këtyre dy institucioneve janë duke realizuar, duke shkëmbyer përvojat dhe eksperiencat e tyre mes vete, duke shtuar se ky bashkëpunim është një mundësi që studentët të njohin më mirë njëri-tjetrin.

 

“Shpresa është që studentët të njohin njëri-tjetrin dhe të mësojnë për jetën e njëri-tjetrit për të përcaktuar se çfarë kanë të përbashkët, ose cilat janë pesë rrjetet kryesore sociale, ose si është menaxhimi i COVID në Kosovë”, ka thënë Erin Johnson, profesoreshë në Departamentin për Menaxhim dhe Sipërmarrje.

 

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, ka thënë se përmes këtij bashkëpunimi dhe bashkëpunimeve të tjera, pret që të forcohen edhe më tej lidhjet mes shtetit të Iowa-s dhe Kosovës, duke vlerësuar rolin dhe kontributin e shtetit të Iowa-s për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

 

“Siç e dini, Iowa është një sponsor kryesor dhe kontribues për lirinë, pavarësinë dhe zhvillimin e Kosovës. Kosova është një vend i vogël në një fazë zhvillimi, dhe ofron mundësi të mëdha në sektorë të ndryshëm. Prandaj, për Kosovën është më e rëndësishme të kurohet dhe kultivohet lidhja me institucionet e Iowa-s: qeverinë, akademinë, industritë, ekspertët dhe pjesët e tjera të komunitetit të Iowa-s dhe të përdorin potencialin e tyre në këtë fazë. Është e rëndësishme që ne të njohim njëri-tjetrin më shumë”, ka thënë rektori Hajrizi.

 

Tutje, rektori Hajrizi ka potencuar se me këtë bashkëpunim UBT do të gjenerojë vlera të përbashkëta me bazë inovacionin dhe sipërmarrjen, duke krijuar mundësi për gjeneratat e reja në Kosovë dhe rajonin e Ballkani Perëndimor.

 

“Ne mund të ndajmë praktikat më të mira me një universitet të rëndësishëm që ka një traditë të gjatë. Sipërmarrja, inovacioni, mjedisi ndërkombëtar i biznesit dhe menaxhimi virtual, global i projekteve janë disa nga kompetencat që studentët dhe stafi ynë mund të përfitojnë nga ky bashkëpunim. Shpresojmë që UBT gjithashtu të gjenerojë njëfarë vlere të përbashkët në këtë bashkëpunim si një universitet-ekosistem me bazë inovacionin e sipërmarrjen. Bazuar në bisedat tona me stafin dhe menaxhmentin në Universitetin e Iowa, ne mund të krijojmë shumë mundësi për gjeneratën e re nga Kosova dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor”, ka vlerësuar rektori Hajrizi, në artikullin e publikuar në faqen zyrtare të Universitetit të Iowa-s.

 

Ky artikull shpjegon shtrirjen e kursit që studentët e dy institucioneve të arsimit të lartë janë duke e ndjekur përmes platformës online, rreth mënyrës së të bërit biznes në të gjithë botën, përfshirë edhe dimensionet kulturore të cilat janë thelbësore për secilin mjedis unik të biznesit.

 

UBT dhe Universiteti i Iowa-s tani janë në proces të finalizimit të një Memorandumi të Mirëkuptimit (MOU) i cili lejon bashkëpunimin në një larmi të gjerë të aktiviteteve të mundshme, përfshirë aktivitete të përbashkëta arsimore, trajnuese dhe/ose kërkimore.

 

Për të lexuar artikullin e plotë të Universitetit të Iowa-s, klikoni në linkun: https://international.uiowa.edu/news/ui-students-join-virtual-teams-analyze-markets-iowa-sister-state-kosovo?fbclid=IwAR2-POHwLewHISUaS5T0MSCxK_xhBIrezewPpR8MA8AU1xQ_nfUm-gYobBk