Studentet e UBT-së projektojnë shkop me sensorë për të verbrit

29/05/2017

Shumë persona në shoqërinë tonë jetojnë me sfidën e mungesës në të pamur.


Statistikat tregojnë se aktualisht janë rreth 4 mijë persona të verbër dhe me të parë të dobësuar, që jetojnë në Kosovë.


Kjo kategori e shoqërisë përballet me mungesë të infrastrukturës dhe kushteve për një jetë sa më të rehatshme.

 

Duke e parë këtë sfidë me të cilën përballet kjo kategori njerëzish, studentet e vitit të parë në Fakultetin Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT, Dylbere Rrustemi, Blerinë Syla, Miradije Hasani dhe Emine Syla, kanë menduar për këtë t’ua bërë me të lehtë jetën personave të verbër.

 

Ato kanë projektuar një shkop të veçantë për këta persona, i cili përbëhet nga sensorë, të cilët kryejnë funksione të shumta, duke përfshirë sensorin e ujit, të distancës, të vibrimit, që lidhen me GPS dhe butonin informues. Andaj, Falë këtij shkopi, të verbrit në bazë të tingujve dhe vibrimit, do të njoftohen për pengesat që gjenden para tyre.

 

Sipas studenteve, një shkop i tillë nuk ka ekzistuar më parë.


Ato thonë se shkopi që kanë të verbrit tani nuk është shumë funksional dhe insistojnë në faktin se produkti i tyre ofron shumë funksione për të verbrit.


“Sensori i ujit do të vendoset në pjesën poshtë shkopit dhe do të njoftojë me vibrim dhe me tinguj se në afërsi ka ujë. Ndërsa, sensori i distancës do të tregoj largësinë prej tre metrave dhe do të lëshoj tinguj të veçantë, në mënyrë që ta njoftojë personin e verbër që afër tij është një pengesë fizike”, tregoi studentja Blerinë Syla.

 

Ky shkop përveç që i ndihmon personave të verbër, është projektuar që t’ju ndihmojë edhe familjarëve.


Në bazë të tingujve dhe vendosjes së GPS-it dhe 3G, so dhe programit të instaluar në telefonat e familjarëve, ata do të njoftohen për gjendjen e familjarit të tyre të verbër.


“Butoni i projektuar në këtë shkop ka shumë funksione, butoni ka për qëllim që të lajmëroj familjarët për gjendjen e familjarit të tyre”, sqaroi studentja Syla, e cila duke treguar për mënyrën e funksionimit të këtij shkopi, shtoi se, “nëse butoni mbahet i shtypur një sekondë, tregon se ku është vendndodhja e personit të verbër, nëse butoni mbahet i shtypur më shumë se tre sekonda, të jep sinjal që gjendja e familjarit të verbër është e keqe ka nevojë për ndihmën tonë”.

 

Studentet në fjalë treguan se deri te konkretizimi i idesë për këtë shkop ishte nxitëse punëtoria e “UPSHIFT: Social Impact Workshop”, që u organizua nga UNICEF Innovaitions Lab Kosovo, në bashkëpunim me UBT-në.


Në këtë punëtori, ideja e këtyre studenteve u shpërblye me çmimin e parë.

 

Duke treguar për idenë për shpikjen e një shkopi të tillë, Studentja Dylbere Rrustemi tha se është inspiruar nga përvoja e saj personale.


“Ideja ka qenë spontane duke u bazuar në përvojën e familjare. Gjyshi im ka qenë i verbër për shumë vite dhe i kam parë  nga afër vështirësitë me të cilat është përballur ai, andaj kamë menduar që bashkë me shoqet e mia, të bëjmë diçka më ndryshe”, tha ajo,teksa tregoi se ato e kanë konkretizuar idenë dhe po synojnë që këtë produkt ta finalizojnë së shpejti, me ç’rast tutje e pret faza e testimit dhe e prezantimit në tregun vendo e ndërkombëtar.

 

 

https://www.youtube.com/watch?v=PZ0vQVS9hPQ&feature=youtu.be