Studentet e UBT-së, Drenushe Thaçi dhe Dodona Blakaj, pjesë e projekteve të rëndësishme për Prishtinën

11/02/2015

Prishtinë, 11 shkurt – Studentet e UBT-së, Drenushe Thaçi dhe Dodona Blakaj, gjatë një internshipi në Komunën e Prishtinës, gjatë muajve të verës 2014, kanë marrë pjesë në një projekt për matjen e klasave të shkollave të ciklit të ulët në Komunën e Prishtinës. Ato gjithashtu janë pjesë e projektit “Urave të Gjelbërimit”.

 

Në një bisedë për “UBT News” ato shpjegojnë angazhimin e tyre në projekte të rëndësishme të realizuara gjatë kësaj kohe.

“Grupi ynë ka qenë i angazhuar në matjen e klasave të shkollave të ciklit të ulët në Komunën e Prishtinës, brenda një periudhe kohore prej dy javësh. Puna jonë gjatë angazhimit në Komunë ka kaluar nëpër tri faza kyçe. Fillimisht kemi bërë incizimin e klasave në shkollat e qytetit, duke vijuar pastaj me shkollat në fshatrat përreth. Shkollat, në të cilat kemi bërë incizimin e klasave, kanë qenë: Shkolla fillore “Gjergj Fishta” (Prishtinë), Shkolla fillore “Elena Gjika” (Prishtinë),

 

 

Shkolla fillore “Pjetër Bogdani” (Prishtinë), Shkolla fillore “Iliria” (Prishtinë), Shkolla fillore “Nexhmi Mustafa” (Prugoc), Shkolla fillore “Nexhmi Mustafa” (Rimanishtë) dhe Shkolla fillore “Anton Zako Çajupi” (Besi)”, thonë ato.

 

“Në fazën e dytë kemi vazhduar me dokumentimin dhe paraqitjen teknike të matjeve në terren, si dhe dorëzimin e dokumentacionit në departamentin e Urbanizmit, gjegjësisht te zyrtarja kompetente e internshipit, Nazmije Tora. 

Pas dorëzimit të gjendjes aktuale, kemi vazhduar me konsultimin e ideve tona rreth projektit, konkretisht në modelimin e dollapëve, të cilët do të dizajnohen.

Në fazën e fundit, pas shqyrtimit të ideve tona me zyrtarët kompetentë, arritëm në një përfundim rreth dizajnit të dollapëve, ku hasëm në një mirëkuptim të dyanshëm dhe në një zgjidhje adekuate.

Një nga sfidat më të mëdha për ne ka qenë pamundësia e incizimit të shkollave nëpër fshatrat e lartpërmendura. Edhe pse kemi pasur këtë problem, zgjidhja jonë ka qenë përdorimi i modulit të njëjtë të dollapëve në të gjitha shkollat në komunën e Prishtinës.

Si përfundim, përkundër sfidave që kemi hasur gjatë kësaj kohë, ky internship ka qenë një përvojë shumë e mirë për ne, ku një falënderim të madh marrin zyrtarët për qasje profesionale dhe korrekte dhe një bashkëpunim cilësor”, shpjegojnë më tej Drenusha dhe Dodona.

 

 

Gjithashtu, ato kanë qenë të angazhuara edhe në realizimin e një projekti për Prishtinën. Për çfarë projekti është fjala? Çka përmban ai? Si është vlerësuar ky projekt dhe cilat janë mundësitë e zbatimit të tij në praktikë?

Drenusha dhe Dodona shpjegojnë se fjala është për projektin e Urave të Gjelbërimit (Eko), punuar nga Grupi i Arkitektëve të Rinj.

Ky projekt është zhvilluar për konkursin e Javës Arkitekturale të Prishtinës – Ide për qytetin e Prishtinës.

Duke qenë se zonat urbane të Prishtinës vazhdimisht rriten, ne e pamë një mundësi për të përmirësuar qytetin tonë duke shtuar gjelbërimin në hapësirat e betonit, duke mos ndërhyrë në funksionet e ambientit përreth. Gjelbërimi do të sjellë shumë ndikime pozitive dhe do të veprojë si oazë në mes të kësaj “parajse” të betonit.

Për të bërë këtë, ne kemi zgjedhur blloqet e banimit të betonit në lagjen “Ulpiana”. Hyrjet e këtyre ndërtesave kanë ura të cilat i lidhin ato me rrugën, duke krijuar kështu një hapësirë të zbrazët në mes, nën të cilën është një rrugë. Kjo rrugë përdoret kryesisht për rekreacion nga qytetarët që jetojnë aty, edhe pse nuk ka kushtet e duhura për këtë gjë.

Prandaj ne kemi menduar një zgjedhje ekonomike për nevojat e qytetarëve, thjesht duke rindryshuar hapësirën dhe duke shtuar shufra metalike e duke mbjellë gjelbërim për t’u rritur rreth tyre.

 

Hapësira e rindryshuar është menduar që të ndajë nivelin e rrugës në dy zona, një për rekreacion të duhur, duke ofruar ulëse e duke shijuar hijet e krijuara nga gjelbërimi i sipërm dhe tjetrin për automjetet që kalojnë, edhe pse nuk është rrugë qarkullimi e as parking, thjesht është një rrugë që duhet të shkojë rreth e përqark objektit. 

Afër hyrjeve në nivelin e rrugës, ne kemi dizajnuar edhe kosha të basketbollit dhe kemi përshtatur hapësira të lojërave përballë ulëseve që janë nën rehatinë e hijeve.

Më tutje ne mund të themi se gjelbërimi në këtë zonë do të ndikonte në rritjen e kënaqësisë për qytetarët që e përdorin këtë hapësirë si zonë rekreative, do të ketë ndikim pozitiv në eko-sistemin dhe sigurisht do të shërbejë edhe si strehim për zogjtë.

Gjëja më pozitive për projektin është se është ekonomik – i arsyeshëm për t’u realizuar, dhe kërkon jo ndonjë nivel të lartë të mirëmbajtjes, madje as shpenzime të tjera.

Dhe po, mbani në mend, ashtu siç ka thënë J.Burroughs: “Unë shkoj në natyrë për t’u zbutur e shëruar, e për të vendosur shqisat e mia në vendin e vet. Prandaj le ta sjellim natyrën tek ne!”

Ky projekt ka konkurruar në mesin e shumë projekteve të mëdha, përkrah arkitektëve ndërkombëtarë me famë botërore. Ne kemi konkurruar si studentë të vitit të dytë kundrejt arkitektëve me përvojë. Ne kemi arritur të hyjmë në mesin e “top 10” dhe projektet janë prezantuar në hollin e Komunës së Prishtinës për një javë rresht.

Ajo çka neve na ka bërë krenare është përkrahja që kemi marrë nga qytetarët, kolegët, rreth idesë së thjeshtë por shumë praktike dhe të nevojshme. Ndoshta mund të themi se ky ka qenë vlerësimi më i rëndësishëm dhe më me vlerë për ne.

 

 

Drenushe Thaçi dhe Dodona Blakaj janë studente të vitit të tretë në Fakultetin e Arkitekturës në UBT. 

“Duke qenë pjesë e UBT-së dhe në përkrahje të vazhdueshme të stafit akademik, ne kemi gjetur mbështetje të pakufizuar duke na dhënë mundësinë e shprehjes tonë, dhe po ashtu kanë qenë po këta që na kanë frymëzuar për të marrë pjesë në konkurse të ndryshme si vendore ashtu edhe ndërkombëtare. Duke qenë pjesë e bursistëve për dy vite radhazi ne jemi të kënaqura me rezultatin që kemi arritur në UBT”, thonë ato.

Ato shprehen se përvoja në internshipe të ndryshme ka qenë një ndihmesë shumë e madhe për to, u ka ndihmuar të njihen dhe të afirmohen në rrethe të ndryshme. Këto internshipe kanë qenë edhe një ndihmesë në aspektin profesional arkitekturor. Andaj pjesëmarrja e vazhdueshme në internshipe nuk na pengon në punë, por vetëm na formon si profesioniste, shprehen Drenushe Thaçi dhe Dodona Blakaj.