Studentët e Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë në UBT realizojnë vizitë akademike në Trakya University, duke zgjeruar horizontet ndërkombëtare të studimit

06/05/2026

Në kuadër të përkushtimit të vazhdueshëm të UBT-së për ndërkombëtarizimin e arsimit, avancimin akademik dhe krijimin e përvojave të drejtpërdrejta për studentët në institucione prestigjioze ndërkombëtare, studentët e programit Shkenca të Ushqimit dhe Bioteknologji në UBT, zhvilluan një vizitë akademike në Trakya University në Turqi, konkretisht në Arda Vocational School dhe në Fakultetin e Inxhinierisë – Departamenti i Inxhinierisë Ushqimore.

Të shoqëruar nga Dekani i Fakultetit, Prof. Dr. Fidan Feka, si dhe profesorët Prof. Dr. Gani Kastrati dhe Prof. Dr. Cengiz Çesko, studentët patën mundësinë të përjetojnë nga afër një eksperiencë të rëndësishme akademike dhe profesionale, e cila synon të forcojë lidhjen ndërmjet dijes teorike, praktikës bashkëkohore dhe bashkëpunimit ndëruniversitar.

Gjatë kësaj vizite, studentët u njohën me aktivitetet akademike të njësive pritëse, metodat moderne të mësimdhënies, laboratorët bashkëkohorë, infrastrukturën teknologjike dhe fushat praktike të aplikimit në industrinë ushqimore dhe bioteknologji. Kjo përvojë u ofroi atyre një perspektivë më të gjerë mbi standardet ndërkombëtare të edukimit dhe zhvillimet më të fundit në sektorin e shkencave të ushqimit.

Vizita shërbeu gjithashtu si një platformë e rëndësishme për diskutimin e mundësive të reja të bashkëpunimit akademik ndërmjet UBT-së dhe Trakya University, duke përfshirë shkëmbime studentore, projekte të përbashkëta kërkimore, mobilitete akademike dhe zhvillim institucional në fusha me interes të përbashkët.

Në pritjen zyrtare, Zëvendësrektori i Trakya University, Prof. Dr. Mustafa Tan, theksoi rëndësinë e ndërveprimit akademik ndërkombëtar, duke vlerësuar se vizita të tilla forcojnë shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe kulturave akademike, ndërsa kontribuojnë drejtpërdrejt në përgatitjen e studentëve për sfidat globale.

Pjesë e këtij takimi ishin edhe drejtues dhe përfaqësues të rëndësishëm institucionalë të universitetit nikoqir, të cilët prezantuan potencialin akademik dhe profesional të Trakya University, duke krijuar një urë të re bashkëpunimi me UBT-në.

Programi Shkenca të Ushqimit dhe Bioteknologji në UBT vazhdon të dëshmojë orientimin e tij drejt ekselencës akademike, inovacionit dhe përgatitjes së studentëve për tregun ndërkombëtar, përmes aktiviteteve që kombinojnë mësimin teorik me përvojat praktike dhe ekspozimin global.

Përmes vizitave të tilla studimore dhe akademike, UBT jo vetëm që fuqizon përvojën studentore, por edhe konsolidon pozitën e tij si një institucion lider në rajon, i fokusuar në ndërtimin e profesionistëve të rinj me vizion ndërkombëtar, kompetenca të avancuara dhe gatishmëri për të kontribuar në sektorët strategjikë të së ardhmes.