Studentët e Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologji në UBT zhvilluan një sërë vizitash në kompanitë ushqimore në Gjilan

12/01/2023

Studentë dhe profesorë të Fakultetit Shkenca të Ushqimit dhe Bioteknologji në UBT, kanë realizuar disa vizita studimore në kompanitë “Floil”, “Jaffa Plus”, ”Fleksograf ” dhe ”RC Cola”, në Gjilan, me ç’rast kanë parë nga afër proceset e prodhimit të ushqimeve.

Në kompanitë “Floil” dhe “Jaffa Plus”, studentët përcollën nga afër të gjithë procesin e prodhimit të lëngjeve dhe vajit që nga lënda e parë e deri te menaxhimi i mbetjeve, si dhe u informuan për risitë në prodhimin e vajit të kolzës dhe parapërgatitjen e daljes në treg të vajit për fërgesë.

Në kompaninë ”RC Cola” studentët u priten nga udhëheqësi i procesit të prodhimit të lëngjeve teknologu Enis Buca, ish-student i UBT-së i punësuar në këtë kompani, duke i informuar studentët edhe mbi pikat kritike të kontrollit dhe ato mikrobiologjike, teksa në kompaninë “Fleksograf”, ata u informuan për rëndësinë e paketimit në ruajtjen e ushqimit.