Studentët e programit Studime të Sigurisë në UBT realizuan një vizitë studimore në Agjencinë për Menaxhimin Emergjent

16/12/2022

Studentët e vitit të dytë Fakultetit Studime të Sigurisë në UBT, në kuadër të lëndës “Menaxhimi i Krizave dhe Emergjencave Civile”, të udhëhequr nga profesori i lëndës Bahri Gashi, kanë realizuar një vizitë studimore në selinë e Agjencisë për Menaxhimin Emergjent (AME – MPB) në Hajvali të Prishtinës.

Studentët u mirëpritën nga drejtori i përgjithshëm i AME-së, Shefki Abdullahi dhe udhëheqësi i Divizionit për Çështje Ligjore dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Çështje Publike, Nehat Koçinaj, të cilët i njoftuan studentët për së afërmi për rolin e AME-së si përgjegjës në planifikim, trajnime të specializuara, koordinues me reaguesit e parë dhe menaxhues i krizave në rastet e fatkeqësive natyrore.

Përmes kësaj vizite, si dhe debatit të zhvilluar mbi qasjet operacionale të zbatimit të “Planit të Reagimit Kombëtar” studentët mësuan më shumë për shkallshmërinë e përgjegjësive të mekanizmave ndërsektorial me rastin e krizave dhe emergjencave civile.

Studentët njashtu u njoftuan edhe për ciklin e situatave kritike të fatkeqësive natyrore, si dhe proceduarat e reagimit të institucioneve dhe menaxhimin emergjent, në kontekstin aktual të dukurive të vërshimeve të fundit në Kosovë.