Studentët e Muzikës Moderne dhe të Aktrimit në UBT pjesë e Festivalit Ndërkombëtar “Medienfrische 2026” në Tirol të Austrisë

02/06/2026

Në kuadër të shënimit të 25-vjetorit të UBT-së dhe aktiviteteve të organizuara gjatë Ditëve të Artit dhe Dizajnit, studentët e programit Muzikë Moderne, Prodhimi Digjital dhe Menaxhmenti, dhe të programit Aktrim në UBT, kanë mbërritur në Tirol të Austrisë për të marrë pjesë në festivalin ndërkombëtar “Medienfrische 2026”.

Gjatë pjesëmarrjes së tyre në festival, studentët do të prezantojnë punët dhe projektet e tyre, duke përfaqësuar UBT-në në një platformë ndërkombëtare që bashkon artistë dhe krijues nga vende të ndryshme evropiane.

“Medienfrische 2026” ofron hapësirë për prezantimin e praktikave bashkëkohore artistike, duke u mundësuar studentëve të ndajnë përvojat e tyre kreative dhe të krijojnë bashkëpunime të reja profesionale e kulturore.

Përmes kësaj pjesëmarrjeje, studentët e UBT-së po promovojnë talentin dhe potencialin artistik të UBT-së në skenën ndërkombëtare, duke kontribuar në forcimin e bashkëpunimit kulturor dhe akademik ndërmjet institucioneve evropiane.