Studentët e MBE-së, zhvilluan ligjëratë tematike në kuadër të lëndës: “Menaxhmenti Financiar për Ndërmarrësi”

05/05/2022

Në kuadër të lëndës: “Menaxhmenti Financiar për Ndërmarrësi”, me profesorin Ermal Lubishtani, studentët e Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT, patën mundësi që të dëgjojnë nga afër përvojat e themelueses së dy kompanive nga fusha e teknologjisë informative (Shkolla Digjitale dhe StarLabs), Hana Qerimi.

 

Përmes kësaj ligjërate tematike, studentët patën mundësi që të njoftohen me sfidat dhe me praktikat e mira të themelimit, rritjes dhe zhvillimit të ndërmarrjeve të reja, me fokus te mundësia e ndërkombëtarizimit të bizneseve.

 

Hana Qerimi, që dikur ishte studente e Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT, në pjesën e parë të ligjëratës u fokusua te përkushtimi personal që secili i ri dhe e re duhet ta ketë prioritet, duke filluar nga gjenerimi i dijeve të reja për fushën ku të rinjtë synojnë ta ndërtojnë karrierën e tyre profesionale.

 

Përgjatë kësaj ligjërate, Qerimi ka potencuar rëndësinë e kapitalit njerëzor, përkatësisht gjetjen e stafit adekuat dhe krijimit të një kulture organizative që është pro rritjes dhe zhvillimi të një kompanie, teksa ka nënvizuar rolin e hulumtimit të vazhdueshëm të tregut për të qenë në gjendje për të identifikuar potenciale të reja për zhvillimin e kompanive në mënyrë që depërtimi i tyre të jetë edhe në nivel global.

 

Studentët e Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT, në fund të diskutimit patën mundësi që të mësojnë edhe për planifikimet strategjike, si dhe për mundësinë e zgjerimit të kompanisë, krijimin e vendeve të reja të punës, teksa së bashku me Hana Qerimin dhe profesorin e UBT-së, Ermal Lubishtani, zhvilluan një interaktivitet të frytshëm për çështje të ndryshme të menaxhimit të biznesit.