Studentët e Inxhinierisë së Energjisë vizituan Impiantin e Biogazit në Tetovë

04/03/2019

Studentët e vitit të dytë të Fakultetit Inxhinieri e Energjisë, kanë realizuar vizitë studimore në Impiantin e Biogazit, në Tetovë të Maqedonisë.

Vizita u realizua nën shoqërimin e profesorit Sami Makolli, në kuadër të lëndës “Prodhimi i Energjisë nga Biomasa”.

 

Studentët u pritën nga pronari i kompanisë, Arben Abdyrrahmnai, i cili u mbajti një ligjëratë, si dhe u ofroi studentëve mundësi për punë praktike dhe mundësi punësimi.

 

Para vizitës në impiantin për prodhim të metanit, u vizitua fabrika “Vezë Sharri”, menaxheri Gajur Abdyrrahmani sqaroi procesin e prodhimit, në veçanti  prej lëndës së parë, deri tek kapaciteti i prodhimit, kontrolli dhe distribuomi, si dhe sasia e mbetjeve që më vonë hynë në procesin e prodhimit të biogazit.

 

Tutje, në përcjelljen e menaxherit Abdyrrahmani dhe inxhinierit të kompanisë, Bujamin Sheapi, studentët vizituan ndërmarrjen “Elektro Sharri”, gjatë të cilës studentët mësuan për përbërësit e biomasës, përqindjet e përzierjeve, mënyrën se si kolektorët në kondita të veçanta, në mungesë oksigjeni dhe në praninë e baktereve, transformojnë biomasën në metan.

Studentët u informuan edhe me proceset e transformimit të metanit deri në gjeneratorë dhe në prodhimin e 1MW energji elektrike, aq sa është edhe kapaciteti i impiantit, si dhe mënyra e kushtet e marrëveshjes me shpërndarësin e energjisë elektrike.

 

Interesimi dhe kureshtja e studentëve të UBT-së u vlerësua nga udhëheqësit e Impiantin e Biogazit, të cilët shfaqën dëshirën që të ndihmojnë studentët në aspektin profesional.