Studentë nga Gjermania qëndruan për punëtori në UBT

31/10/2023

Në UBT kanë qëndruar një grup i studentëve dhe mësimdhënësve nga TH Lubeck (Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Lubeck) nga Gjermania.

Studentët dhe mësimdhënësit kanë qenë pjesë e mobilitetit njëjavor, pjesë e projektit Erasmus + dhe kanë trajtuar temën “Hapësirat publike të Prishtinës”.

Për studentët nga Gjermania janë organizuar vizita në hapësirat publike të Prishtinës, në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan, ku janë pritur nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dekani i Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor, Binak Beqaj, si dhe profesorë dhe studentë të këtij drejtimi.

Pjesëmarrës në këtë punëtori pesë ditore kanë qenë edhe studentët e Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT. Moduli është krijuar dhe udhëhequr nga profesori Michael Locher dhe zëvendës presidenti i TH Lubeck, Frank Scwartze, dhe profesorët e UBT-së, Lulzim Beqiri dhe Bekim Ceko.

Moduli është mbështetur edhe nga Drejtori e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, derisa ky bashkëpunim do të vazhdojë me punëtori të përbashkëta dhe projekte me interes për të dy institucionet.