Studentë të UBT-së, Arkitekturë e Ndërtimtari, përfunduan një vizitë studimore në Turqi

20/05/2016

Një grup prej 38 studentësh të UBT-së, përkatësisht të Arkitekturës dhe të Ndërtimtarisë, kanë përfunduar një vizitë studimore 6 ditore (10 -16 maj), në Turqi. Grupi i studentëve, i prirë nga profesorët, dr. Muhamet Ahmeti dhe dr. Ajhan Bajmaku, kanë vizituar vende të ndryshme dhe objekte me rëndësi historike, të kohës bizantine dhe të periudhës otomane. Kanë vizituar bazilikën e Shën Sofisë (Ajasofja), e cila në fillim ishte kishë, kurse me pushtimin e Konstandinopojës nga osmanët është shndërruar në xhami. Kanë vizituar gjithashtu pallatin “Top Kapi”, ndërtimi i të cilit ka zgjatur 18 vjet (1460- 1478). Edhe “Top Kapi”, pas themelimit të Republikës së Turqisë, u shndërrua në një muze, më 3 prill 1924, i pari i Republikës së Turqisë.


Në itinerarin e vizitave studimore, studentët e UBT-së, kanë parë nga afër edhe Xhaminë e Kaltër, Rezervuarin Bazilikë etj.


Kanë vizituar dhe Universitetin “Mimar Sinan”, ku kanë përcjellë procesin mësimor në disa lëndë, si Konstruksione Arkitektonike, si dhe kanë parë laboratorë, biblioteka universiteti, galeri artesh moderne etj. 


Kanë vizituar edhe Panairin Ndërkombëtar të Materialeve Ndërtimore, një nga më të mëdhenjtë dhe më të rëndësishmit në Evrope e rajon, në të cilin merrnin pjesë më shumë se 200 shtete, si dhe më shumë se 2000 kompani të ndryshme që merren me prodhimin e materialeve të ndryshme ndërtimore, nga te gjitha kontinentet.
Pos të tjerash, studentët kanë vizituar me anije edhe Grykën e Bosforit, me theks urën e Bosforit, e cila lidh Evropën me Azinë; objektet me rëndësi të veçantë për studentët, si Qendrën Tregtare “ZOLLU”, që nga aspekti i arkitekturës njihet si më e mira në Evropë etj.


Organizatorët kanë thënë se vizita ishte një shans i mirë për studentët, që të njiheshin me zhvillimet jashtë shtetit të tyre.