
Stafi i UBT-së pjesëmarrës në Konferencën Vjetore Shkencore të Universitetit Teknik të Sofjes në Bullgari
22/05/2025Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, së bashku me Prof. Dr. Besnik Qehaja dhe anëtarë të tjerë të stafit akademik, kanë marrë pjesë në Konferencën Vjetore Shkencore të Universitetit Teknik të Sofjes, e cila u mbajt në qytetin Plovdiv në Bullgari.
Kjo ngjarje u zhvillua në kuadër të projektit strategjik “Përmirësimi i Kapaciteteve Kërkimore dhe Cilësisë për Njohje Ndërkombëtare dhe Qëndrueshmëri të TU–Sofia”, pjesë e Programit Kombëtar për Rimëkëmbje dhe Qëndrueshmëri të Bullgarisë, që synon ndërtimin e një rrjeti të institucioneve të arsimit të lartë kërkimor në Bullgari dhe më gjerë e mbështetur edhe nga Komisioni Evropian.
Pjesëmarrja e delegacionit të UBT-së u realizua në kuadër të programit “Research Fellowship Programme”, ku Rektori Hajrizi dhe Prof. Qehaja prezantuan punimet e tyre shkencore, në bashkëpunim me studiues të njohur ndërkombëtarë si Galia Marinova, Vasil Gulashki, Elton Boshnjaku dhe Behar Haxhismajli.
Që nga fillimi i programit në shkurt të këtij viti me Institutin për Kërkime Shkencore në Universitetin Teknik të Sofjes, stafi i UBT-së ka realizuar dy publikime shkencore të indeksuara ndërkombëtarisht, si dhe një kapitull libri në fushën e rrjeteve inteligjente energjetike (Smart Grid), Internetit të Gjërave (IoT) dhe Inteligjencës Artificiale – fusha këto me rëndësi strategjike për zhvillimin e teknologjive të avancuara dhe transformimin digjital.
Gjatë katër ditëve të konferencës, morën pjesë mbi 30 grupe kërkimore me rreth 200 shkencëtarë nga e gjithë bota, përfshirë studiues nga Italia, Portugalia, Rumania, India, Kolumbia, Franca, Irani, Finlanda, Jordania dhe Kongo. Në këtë kuadër, grupi kërkimor nga UBT spikati me rezultatet e arritura në një kohë shumë të shkurtër, por edhe me prezantime cilësore dhe relevante, të cilat u vlerësuan në mesin e punimeve më të avancuara ndërkombëtare.
Rektori Edmond Hajrizi, në prezantimin e tij, theksoi rolin dhe mundësitë infrastrukturore që po i ofron UBT Smart City për të zhvilluar hulumtime, teknologji dhe inovacione që ka UBT në rreth 150 fusha të jetës, duke e mbështetur ndërdisiplinaritetin, infrastrukturën e mençur dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Ai prezantoi platformën e zhvilluar për menaxhimin dhe kontrollin e mikrogrideve të mençura të energjisë, e cila, përveç të tjerash, po instalohet për përdorim në UBT Smart City, ndërsa profesori i asociuar Besnik Qehaja prezantoi pjesën e sigurisë së rrjetës dhe optimizimin e saj te pjesa e spitaleve dhe klinikave të mençura.
Konferenca gjithashtu shërbeu si platformë për rrjetëzim dhe bashkëpunim ndërkombëtar, ku u diskutuan projektet e përbashkëta, transferimi i teknologjisë, pronësia intelektuale dhe fuqizimi i rolit të universiteteve kërkimore në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.
UBT vazhdon të shquhet si një institucion lider në rajon për hulumtim shkencor dhe inovacion, me pjesëmarrje aktive në programe evropiane dhe ndërkombëtare, dhe ka arritur rritjen më të shpejtë të publikimeve shkencore jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.
Jo rastësisht, në rangimin e fundit të Scimago, UBT në sesionin e shkencës renditet e para në Kosovë.
Pjesëmarrja në këtë konferencë jo vetëm që afirmon pozicionin e UBT-së në arenën ndërkombëtare akademike, por gjithashtu hap mundësi të reja për bashkëpunim, shkëmbim dijesh dhe krijim të projekteve të përbashkëta që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin shkencor dhe teknologjik të Kosovës dhe rajonit.
Stafi i UBT-së zhvilloi takime shumë të frytshme për bashkëpunime shkencore me shkencëtarë nga shumë vende të botës.