Stafi i UBT-së bëri homazhe para varreve të familjes Jashari

07/03/2019

Një delegacion i UBT-së, i udhëhequr nga drejtori për Çështje Akademike, prof. dr Muhamet Ahmeti, ka vizituar kompleksin memorial “Adem Jashari”, për të rikujtuar veprën sublime të kësaj familjeje, që i dha vulën luftës për liri të qytetarëve të Kosovës.

 

Stafi i UBT-së bëri homazhe para varreve të anëtarëve të familjes Jashari, si dhe vizituan shtëpitë ku janë zhvilluar luftimet që zgjatën tri ditë.

 

Me rastin e shënimit të kësaj date historike, rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi tha se këto ditë kanë shërbyer për vetëdijesim të botës për atë se çfarë po ndodhte në Kosovë, por në të njëjtën kohë, ka dhënë mesazhin e unifikimit të popullit shqiptar për të luftuar për lirinë dhe të ardhmen premtuese të gjeneratave të cilat kishin nevojë të rriteshin në liri.

“Një familje dha gjithçka që pati që ne sot të frymojmë lirshëm në tokën tonë, të edukojmë gjenerata të reja të studentëve, prandaj i përulemi veprës së tyre, e cila po shërben si rrugë e trasuar për ne dhe gjatë gjithë këtyre viteve na ka shërbyer si shembull i dashurisë dhe forcës me të cilën duhet ta duam atdheun”, u shpreh Hajrzi.

 

Disa muaj më parë, UBT ka dërguar mysafirët ndërkombëtarë për vizitë tek kompleksi memorial, “Adem Jashari”, me qëllim që t’i njoftojë me historinë e familjes Jashari, që pazgjidhshmërisht lidhet me historinë e çlirimit të Kosovës.