Stafi i UBT-së bëri homazhe para varreve të familjes Jashari, në Prekaz

07/03/2020

Me rastin e shënimit të 22-vjetorit të Epopesë së UÇK-së dhe rënies së komandantit legjendar, Adem Jashari, një delegacion i UBT-së, i udhëhequr nga drejtori për Çështje Akademike, prof. dr Muhamet Ahmeti, ka vizituar kompleksin memorial “Adem Jashari”, për të rikujtuar veprën sublime të kësaj familjeje, që i dha vulën luftës për liri të qytetarëve të Kosovës.

 

Me rastin e shënimit të kësaj date historike, rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi tha se kontributi dhe sakrifica e familjes Jashari ishin udhërrëfyes për lirinë dhe çlirimin e Kosovës duke bërë kështu ndërkombëtarizimin dhe vetëdijesimin e botës për atë se çfarë po ndodhte në atë kohë në Kosovë.

 

Ndërkaq, drejtori Ahmeti potencoi se familja Jashari do të kujtohet jo vetëm në këto data, por në çdo moment, duke kërkuar unifikim dhe bashkim në mënyrë që të jetësohet amaneti i dëshmorëve për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

 

UBT në vazhdimësi ka dërguar mysafirët ndërkombëtarë për vizitë tek kompleksi memorial, “Adem Jashari”, me qëllim që t’i njoftojë me historinë e familjes Jashari, që pazgjidhshmërisht lidhet me historinë e çlirimit të Kosovës.