Stafi akademik i UBT-së kontribuon në trajnimet e fushës së efiçiencës së energjisë

21/12/2020

 

UBT duke qenë pjesë e proceseve dhe zhvillimeve më të rëndësishme për efiçiencën e energjisë, kontribuon në trajnimin e gjeneratës së re të Auditorëve të Energjisë në Ndërtesa dhe Ndriçim Publik, përmes pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të stafit akademik në trajnimin e organizuar nga GIZ Kosovo dhe Agjencia e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë. Gjatë këtij trajnimi, krahas ligjëratave disa javore, u realizua auditimi energjetik i disa ndërtesave publike në qytete të ndryshme të Kosovës si: Prishtinë, Mitrovicë, Gjakovë, Gjilan dhe Prizren, për të cilat u ofruan edhe rekomandimet për përmirësimin e performancës së energjisë.

 

Auditimi Energjetik i Ndërtesave është një nga hapat drejt plotësimit të obligimeve ndaj Direktivave të BE-së për efiçience të energjisë, përmes Rregullores për Sistemin e Ofruesve të Shërbimit Energjetik dhe Kriteret Minimale për Auditimin Energjetik, e cila derivon nga Ligji për Efiçiencë të Energjisë në Kosovë.

 

Veçantia e këtij trajnimi është se ky trajnim ishte i pari ndonjëherë i mbajtur nga trajnerë vendor dhe i cili është vlerësuar me arritje të lartë nga Agjencia e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, GIZ Kosovo dhe Energy Insitute Hrvoje Pozar.

 

Në kuadër të këtij trajnimi profesori i UBT-së, Petrit Ahmeti, ishte njëri nga trajnerët e certifikuar nga  Energy Insitute Hrvoje Pozar nga Zagrebi, në vitin 2018.