Sot filloi ANV-ja e Fakultetit Media dhe Komunikim

18/07/2018

Sot filloi Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit Media dhe Komunikim, që këtë vit vjen me një formë të veçantë të veprimtarisë, andaj edhe ka tërhequr numër të madh pjesëmarrësish edhe nga jashtë.

Ky edicion i ANV-së së Medias dhe Komunikimit do të ofrojë një mundësi të jashtëzakonshme, ku pjesëmarrësit do të bëjnë përcjelljen e ngjarjeve, shkrimin e lajmeve, realizimin e fotografive, montazhin e videove, si dhe realizimin e intervistave me personalitete të ndryshme vendore e ndërkombëtare, e tërë kjo do të zhvillohet në kuadër të 24 shkollave verore të ANV-së.

Në ditën e parë, dekani i Fakultetit Media dhe Komunikim, Ferid Selimi dhe ligjeruesi në UBT, Safet Zejnullahu, kanë ligjëruar për mënyrën e shkrimit të lajmit dhe të bërit gazetari. Kurse, tutorja në këtë fakultet, Anisa Rada ka shpjeguar për pjesën e fotografisë, montazhit, organizimit dhe rregullave të akademisë.

Nesër do të fillojë pjesa praktike e përgatitjes së redaksisë, me ç’rast secilit pjesëmarrës do t’i ofrohet mundësia e njohjes dhe e takimit me studentë të programeve të ndryshme e institucioneve të shumta arsimore, si dhe njohja dhe kontakti me njerëz nga fusha të ndryshme, industria dhe nga jeta akademike.