Siguria kibernetike dhe privatësia sfidë për Kosovën, rekomandohet që institucionet të veprojnë bashkërisht

31/10/2018

Në kuadër të Muajit Ndërkombëtar të Sigurisë Kibernetike, ka zhvilluar sot punimet konferenca për siguri kibernetike dhe privatësi “Sfidat në hapësirën kibernetike”, në bashkëorganizim me Cyber Security and Privacy dhe UBT-së.

 

Në këtë konferencë mori pjesë ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërrmarrësisë, Besim Beqaj, ku veç tjerash, tha se do ta fusin në zhargon të përditshëm termin e ekonomisë digjitale.

 

Ministri Beqaj theksoi rëndësinë e kësaj teme në ndryshimet globale e ekonomike, derisa vlerësoi se siguria kibernetike është e rëndësishme për institucionet, komunitetin dhe sektorin privat për të garantuar një zhvillim të shëndoshë.

 

“Kjo teknologji nuk paraqitet si harduer apo softuer, inovacionet po rrisin produktivitetin në përditshmëri dhe lidhen me krijimin e vendeve të punës dhe qëndrimin e të rinjve në vendin tonë. Janë duke humbur vendet e punës në sektor, po zhduken disa sektor, po lindin sektor të rinj që bëjnë aftësi të reja dhe japin hapësira të reja. Ekonomia po rritet shpejt, vendet e punës në teknologji po rriten dhe gatishmëria institucionale ende nuk është në nivelin që ne jemi duke e pritur”, është shprehur Beqaj.

 

Duke folur për digjitalizimin dhe sigurinë kibernetike, rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi ka thënë se institucioni që ai drejton është model në këtë aspekt, ngaqë është institucioni i parë arsimor që ka laboratorët e sigurisë dhe ka të krijuar CERT-in, që është i akredituar dhe anëtarësuar në organizatat më të mëdha, siç është organizata FIRST.

 

Rektori Hajrizi theksoi se kjo është një qasje pozitive sepse përmes aktiviteteve të tilla vendi jonë është në hap me trendët falë potencialit që ekziston.

 

Tutje, Hajrizi tha se, UBT është institucioni më i madh në vend e rajon për përgatitjen e profesionistëve të fushës së sigurisë dhe privatësisë.

 

“UBT ka të formuar divizionin UBT CERT dhe ekipin e ekspertëve të sigurisë kibernetike, që do të jenë të gatshëm në përballje, trajtim, analizë dhe dhënie të rekomandimeve për incidentet, rastet e sigurisë kibernetike për sektorin akademik, privat dhe publik. UBT gjithnjë është angazhuar që të nxjerrë kuadro profesionale, por theksohet nevoja e angazhimit të institucioneve shtetërore në hartimin e politikave të përbashkëta në këtë aspekt”, theksoi rektori Hajrizi.

 

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Emin Mehmeti tregoi se shqetësuese është fakti që viteve të fundit është shtuar rreziku i hakimit të të dhënave, derisa bëri të ditur se BQK-ja është e angazhuar maksimalisht në ruajtjen e të dhënave të qytetarëve.

 

“Siguria kibernetike është objektivi kryesor i sistemit financiar të Bankës Qendrore të Kosovës. Ne e kemi marrë seriozisht sigurinë kibernetike dhe kemi investuar që sistemi jonë dhe informatat që ruhen aty të jenë sa më të sigurta. Po ashtu, në jemi duke investuar dhe do të blihen pajisje që ruhen këto të dhëna”, deklaroi ai.

 

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, tha se këto procese janë sfidë që duhet të tejkalohen dhe se për këtë qëllim sipas tij, institucionet duhet të veprojnë bashkërisht.

 

Sokol Vladi, drejtor i Microsoft në Shqipëri, bëri të ditur se privatësia dhe siguria kibernetike është shndërruar në sfidë globale, andaj rekomandoi bashkëpunim në mënyrë që ato të parandalohen.

 

Kujtim Gashi, nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI), brenda Ministrisë se Administratës Publike, tha se institucionet arsimore janë ato të cilat mund të ndihmojnë më së shumti në këtë aspekt, derisa theksoi se Kosova si shtet në konsolidim e sipër ka vënë në prioritet teknologjinë informative.

 

Teuta Zymberi nga FIT, ka rekomanduar që të ndalohet qasja në internet e fëmijëve dhe tha se detyrë e çdo prindi është që ta kontrollojë se cilat adresa në internet i viziton fëmija i tij.

 

Hana Qerimi, nga Shkolla Digjitale, veç tjerash, tha se duhet të këshillohen fëmijët në aspektin e sigurisë kibernetike, kjo si rezultat i revolucionit digjital që ka prekur çdo sferë të jetës në botën moderne.

 

Në fund profesori i UP-së, Blerim Rexha ka paraqitur dhe demonstruar sfidat në hapësirën kibernetike në aspektin e edukimit.

Konferenca “Sfidat në hapësirën kibernetike”, u organizua në partneritet me UBT-në, me qëllim që të ngritët në diskutim çështja e rëndësinë së sigurisë dhe privatësisë