Siguria dhe privatësia sfidë në kohën e pandemisë, rritet edhe aktiviteti kibernetik

27/04/2020

Me përhapjen e koronavirusit COVID-19 është rrezikuar edhe siguria kibernetike në Kosovë dhe botë, ngaqë janë krijuar shumë profile që përhapin lajme të rrejshme që lidhen kryesisht me virusin e ri, apo edhe janë aktivizuar edhe sulme kibernetike individuale dhe sulme në kompani të ndryshme.

 

UBT si institucion i arsimit të lartë, ka përcjellur me shqetësim situatën e krijuar, andaj, mbajti sot konferencën online me temë: “Siguria kibernetike dhe privatësia në kohë të pandemisë”, me qëllim që të diskutohet për privatësinë e të dhënave, apo edhe hakimin e sistemeve të informacionit.

 

Video-konferenca mblodhi virtualisht ekspertë e profesorë të kësaj fushe, teksa hapjen e bëri rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi.

Rektori Hajrizi theksoi se bota në përgjithësi po përjeton transformim revolucionar ngaqë ka rritje të përdorimit të shërbimeve digjitale, mirëpo sipas tij, në këtë aspekt ka cenim të privatësisë dhe sigurisë.

 

“Sigurisht ka rritje në përdorimin digjital të produkteve dhe shërbimeve, ka zhvillim dhe transformim revolucionar, pra edhe ne jemi pjesë e këtij procesi, sepse si institucion jemi detyruar të mbajmë mësim online shkaku pandemisë. Por, ky rrugëtim ka edhe elementet e sigurisë, pasi që ditët të fundit kemi pasur sulme kibernetike me interesa të caktuara”, potencoi rektori Hajrizi.

 

Tutje, profesoi në UBT, Ruzhdi Jashari, tha se edhe në kohë të pandemisë ka pasur ndërhyrje dhe shkelje të privatësisë, dhe kjo sipas tij, përbënë vepër penale.

 

“Në Kosovë sa i përket aspektit të zbatimit të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, kemi pasur prurje të reja të rregullores të re të BE-së dhe është aprovuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2019, por që nga viti 2016 e kemi institucionin ende pa njerëz që kanë kredibilitet, e që e bëjnë zbatimin e ligjit direkt në praktikë. Kjo është një mangësi, që duhet të adresohet respektivisht në Kuvendin e Kosovës në mënyrë që të veprohet në këtë drejtim”, tha profesori Jashari.

 

Drejtori i departamentit për Teknologji Informative në Policinë e Kosovës, Gazmend Krasniqi, këshilloi që përfaqësuesit e këtyre komuniteteve, si dhe CRERT-at, të angazhohen profesionalisht dhe të mbrojnë sistemet dhe të dhënat në këtë drejtim.

 

“Kriminelët kibernetik dhe grupet e tilla janë duke shfrytëzuar frikën dhe pasigurinë e pandemisë, pra hakerët dhe keqbërësit kibernetik kanë shfrytëzuar situatën për të sulmuar rrjetet kompjuterike, sistemet e informacionit, bizneset, madje edhe organizatat globale në një kohë kur siguria kibernetike nuk është prioritet shkaku i krizës shëndetësore. Të dhënat e fundit tregojnë se ka një rritje të aktivitetit kibernetik me temë COVID-19”, theksoi ai.

 

Menaxheri i departamentit të TIK-ut në Aeroportin e Prishtinës, Ali Krasniqi, tha se pandemia ka nxjerr në pah nevojën që kompanitë të investojnë më tepër në aspektin teknologjik.

 

“Kjo situatë ka nxjerr në pah nevojën e dy prioriteteve shumë të rëndësishme, e para sigurimi ose mundësia që duhet dhënë punëtorëve që të punojnë nga shtëpia, e dyta njëkohësisht të mirëmbahet siguria kibernetike, integriteti dhe disponueshmëria e informacioneve. Duhet të merret si prioritet përditësimi sistemet apo infrastruktura e kompanisë, konkretisht që mundëson qasjen në sistemet e informacionit brenda për brenda kompanisë. Ndihmesë e madhe është edhe virtualizimi i pajisjeve ose kompjuterëve në mënyrë që të lehtësojë punën”, tha Krasniqi.

 

Profesori në UBT, Blerton Abazi, tregoi se UBT-CERT ka identifikuar katër sulme kibernetike të cilat potencialisht po ndodhin në kohën e pandemisë, ndërkaq informacionet theksoi se po i ndanë më qytetarët e vendit.

 

“Transferimi i punës nga zyra në shtëpi pasoi me dy lloje të sulmeve kibernetike, të cilat edhe ndodhën në botë tek të gjithë qytetarët. Fillimisht hakerët tentuan të qasjen në organizata të ndryshme përmes punëtorëve të cilët punojnë prej shtëpisë, ngaqë në shtëpi infrastruktura për punë është më e dobët, dhe së dyti u targetuan qytetarët e thjeshtë përmes informatave të ndryshme, kur tentuan të mbledhin informacione të caktuara. UBT-CERT në bashkëpunim më gjithë anëtarët tjerë të FIRST, në vazhdimësi është duke i mbledhur gjitha informacionet dhe sulmet e tilla kibernetike që potencialisht po ndodhin, të cilat po i shpërndajmë më qytetarët të cilët kanë nevojë. Në këtë kohë të pandemisë, janë identifikuar 4 lloje të sulmeve që po ndodhin më së shumti, të cilat janë: sulmet fishing, përmes përdorimit të platformave sociale, telekonferencat, apo synimet e kombeve duke shkëmbyer informata të rrejshme duke krijuar panik tek qytetarët”, potencoi Abazi.

 

Konferenca online është mbështetur nga Media Group i UBT-së, teksa është transmetuar drejtpërdrejtë në Televizionin “UBT”, “Radio Campus 100.7 FM”, si dhe në faqet zyrtare në platformat Facebook, Instagram dhe Youtube.

 

Konferencën e plotë mund ta gjeni në linkun: