Shoqata Miqtë e Amerikës dhe UBT i dërgojnë veshjet tradicionale shqiptare ish-presidentit të SHBA-ve, George W. Bush

06/04/2019

Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e jashtëzakonshëm në mbrojtjen e qytetarëve të Kosovës dhe për përkrahjen e dhënë gjatë procesit të shtet-ndërtimit, Shoqata Miqtë e Amerikës dhe UBT do të dërgojnë veshjet tradicionale shqiptare për ish-presidentin e SHBA-ve, George W. Bush dhe bashkëshorten e tij, Laura Bush.

 

Me këtë rast, kryetari i Shoqatës Miqtë e Amerikës, Agim Rexhepi tha se me një veprim të tillë dëshirojnë t’i tregojnë ish-presidentit Bush se populli i Kosovës nuk e ka harruar kontributin e tij të madh për çështjen e Kosovës.

“Populli i Kosovës është përjetësisht falënderues, mirënjohës dhe nuk do të harrojë asnjëherë veprimet që ka bërë shteti amerikan, e në veçanti, presidenti George W. Bush”, potencoi Rexhepi.

 

Ndërkaq, rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi, si donator i veshjeve tradicionale që do t’i dërgohen ish-presidentit Bush, theksoi se UBT gjithmonë do të jetë në përkrahje nismave të tilla, të cilat kanë të bëjnë me vlerësim të kontributit të njerëzve që kanë bërë shumë për vendin tonë.

“Falë SHBA-ve ne kemi pasur mundësi që të fitojmë lirinë, të shpallim pavarësinë dhe dërgimi i kësaj dhurate është gjesti më i vogël që mund të bëjmë për të falënderuar përkrahësit më të mëdhenj të shtetit tonë”, tha Hajrizi.

 

Gjatë ditëve në vijim, UBT dhe Shoqata Miqtë e Amerikës do të ndërmarrin edhe aktivitete të tjera të përbashkëta, të cilat do të kenë për qëllim njohjen e kontributit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si zëri më i fuqishëm për mbrojtjen e qytetarëve të Kosovës para dhe pas luftës.