Rektori i UBT-së mori pjesë në konferencën “Strategjia e Evropës Juglindore 2020, vendet e punës dhe prosperiteti në perspektiven evropiane”

03/02/2015

Prishtinë, 3 shkurt. – Rektori i UBT-së, dr.Edmond Hajrizi mori pjesë sot në konferencën “Strategjia e Evropës Juglindore 2020, vendet e punës dhe prosperiteti në perspektiven evropiane”, organizuar nga Regional Cooperation Council (RCC) në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) dhe OECD.

 

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Hykmete Bajrami theksoi se Strategjia për Evropën Juglindore 2020 është aprovuar nga Qeveria e Kosovës në mandatin e kaluar, duke shprehur zotimin serioz në emër të Qeverisë së sapokrijuar, për zbatimin e kësaj strategjie, duke qenë të vetëdijshëm që zbatimi i plotë dhe i suksesshëm i saj do të sjellë vende të reja pune, prosperitet dhe zhvillim ekonomik në Kosovë.

 

“Me aprovimin e Strategjisë, Kosova ka konfirmuar gatishmërinë për të angazhuar kapacitetet e administratës së vet, përkrahjen institucionale dhe burimet e nevojshme financiare për zbatimin e suksesshëm të saj”, tha Ministrja Bajrami.

Ndërsa, rektori i UBT-së , dr.Edmond Hajrizi, foli mes të tjerash për arsimin e lartë në Kosovë dhe zhvillimin e saj pasluftës. 

Hajrizi theksoi se në Kosovë aktualisht ka rreth 110 mijë studentë dhe e quajti këtë një mesatare të mirë të pjesëmarrjes së të rinjve në arsimin e lartë në aspektin statistikor.

 

Dr.Hajrizi theksoi se përkundër arritjeve që ka arritur Kosova si vend në tranzicion dhe me një ekonomi jo mirë të zhvilluar dhe me shkallë të lartë të papunësisë, arsimi i lartë në vend i ka sfidat e veta të shumta. 

Një nga sfidat kryesore për të cilat foli z.Hajrizi është ndërlidhja e arsimit me ekonominë, fushë në të cilën ka edhe më shumë për të bërë, me qëllim të sigurimit të një ndërlidhjeje më të mirë mes arsimit dhe ekonomisë, një parakusht ky për zhvillimin më të mirë të të dy fushave.

Në konferencë, e cila ka mbledhur zyrtarë të shumta dhe përfaqësues të fushës së arsimit dhe të ekonomisë, janë trajtuar një varg çështjesh me rëndësi rreth temës së shtruar për trajtim.

*****

Kontakti: 038-541-400;