Rektori i UBT-së, Hajrizi, kërkon bashkëpunim rajonal të institucioneve të arsimit të lartë, në fushën e shkencës dhe inovacionit

03/05/2016

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, ka kërkuar më shumë bashkëpunim midis institucioneve rajonale të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor, për të krijuar kapacitete dhe infrastrukturë të konkurrueshme me rajonet e tjera në Evropën Juglindore.

Këtë kërkesë, Hajrizi e ka shfaqur në Tiranë, në fund të kësaj jave, në konferencën dyditore ndërkombëtare: “Ditët e studimeve shqiptare 2016”, ku ka referuar me temën: “Shkenca dhe inovacioni në Evropën Juglindore”.


UBT-ja, bashkë me Universitetin e Evropës Juglindore,  ishte partnere kryesore e kësaj Konference, të organizuar nga UET në Tiranë.


Në Konferencë, me punime shkencore janë paraqitur 40 personalitete akademike, nga rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.


“Dizajnimi dhe menaxhimi i institucioneve të larta duhet të mbështet në praktikat më të mira, për t’u përballur me sfidat e teknologjisë, shkencës dhe inovacionit”, ka thënë Hajrizi, teksa ka shtuar se kjo duhet bërë me qëllim  të  përshtatjes së sfidave që po vijnë nga teknologjitë e reja.

 

Në paraqitje, rektori Hajrizi ka treguar se  UBT-ja  është duke zhvilluar projekte të suksesshme, siç është shprehur ai, “që të përballemi me trendët dhe me frymën e teknologjive të reja”.