Rektori i UBT-së, Dr.Edmond Hajrizi u nderua me Çmimin ICT Akademiku i Vitit nga Albanian ICT Awards

18/05/2015

Rektori i UBT-së, dr.Edmond Hajrizi u nderua me Çmimin ICT Akademiku i Vitit, në ceremoninë e organizuar në Tiranë për ndarjen e çmimeve nga Albanian ICT Awards. Në ceremoni u nderuan edhe tre përfaqësues të tjerë nga UBT, studentët Muhamed Ratkoceri, Arlind Hajredinaj dhe Altin Ukshini.

 

Albanian ICT Awards u finalizua me mbrëmjen gala tradicionale, ku u bë edhe kurorëzimi i fituesve në shtatë kategori. Ky konkurs mbarëkombëtar, njëkohësisht edhe vlerësimi më i lartë individual në sektorin e teknologjisë informative në hapësirën mbarëshqiptare, finalizoi përpjekjet disamujore në kërkim të yjeve inovatorë të teknologjisë së informacionit në mbarë trevat shqipfolëse.

 

“Dr.Edmond Hajrizi është themelues, President dhe CEO në Kolegjin për Biznes dhe Teknologji; Instituti për Ndërmarrësi, Menaxhment dhe Inxhinieri; Agjencia e Kosovës për Menaxhment; themelues i Librarisë së UBT-së me mbi 200.000 libra – më e madhja në trojet shqiptare. Z. Hajrizi ka një CV të shkëlqyer akademike”, tha kryetarja e Jurisë, Prof. Dr. Kozeta Sevrani, me rastin e dhënies së Çmimit për Presidentin e UBT-së.

Në ceremoni u nderuan edhe tre përfaqësues të tjerë nga UBT, studentët Muhamed Ratkoceri, Arlind Hajredinaj dhe Altin Ukshini.

 

Kështu, Muhamed Retkoceri me një projekt në fushën e Inteligjencës Artificiale, mori diplomë si i nominuar në kategorinë “ICT Diploma e Vitit”.

Z.Retkoceri gjithashtu u nderua me medalje për kontribute të veçanta për sektorin e ICT në Shqipëri. Ai e mori medaljen për arritjet në NASA Space Apps Challenge me çmimin “People’s Choice Aëard”.

Me medalje për kontribut në sektorin e ICT u nderua edhe studenti i UBT-së, Altin Ukshini (Prishtina HackerSpace).

Studenti tjetër i UBT-së, Arlind Hajredinaj u nderua me medalje si i nominuar për Çmimin “ICT Mobiliteti i Vitit”, me aplikacionin “AutoShkolla”.

 

Ndryshe, në ceremoninë madhështore të organizuar për të tretin vit rresht në Tiranë, morën pjesë ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike të Shqipërisë, Milena Harito, zëvendësministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale në Kosovë, Rita Haizeraj, ish-ministri Mirëqenies Sociale dhe Rinisë së Shqipërisë, Erion Veliaj, përfaqësues të trupit diplomatik të SHBA-ve, udhëheqës të bizneseve dhe organizatave të industrisë së TIK nga Shqipëria e Kosova, si dhe profesionistë të IT-së, akademikë, përfaqësues të universiteteve dhe medias.

 

Në ceremoni u dhanë edhe çmime të tjera. Kështu, çmimin fituesi i ICT Inovacioni i Vitit, ishte Mërgim Cahani nga kompania “Gjirafa”. Në kategorinë ICT Ylli në Ngritje i Vitit fitues u shpall 16-vjeçarit Kelvin Çobanaj nga Durrësi. Çmimin ICT Mobiliteti i Vitit e fitoi Bledar Bregu, themelues i “FindIt.al”. Fituese e çmimit ICT Diploma e Vitit ishte Mirgita Frashëri nga Tirana. ICT Shërbimi Publik i Vitit në Shqipëri shkoi për Ministrinë e Mirëqenies dhe Rinisë, ndërsa për Kosovën shkoi për Administratën Tatimore të Kosovës, që u shpall fituese me projektin Deklarimi Elektronik i Tatimeve. Mirënjohja për Femrën në sektorin ICT iu dha Lindita Shomos, ndërsa për kontribute të veçanta për sektorin e ICT në Shqipëri u nderuan edhe Ludovik Laventure MPAY, Arber Rrapi doktoriim.com, Frenki Ktona dhe Krenare Shala.