Rektori Hajrizi: Zgjerimi i UBT-së në Ferizaj – mundësi e madhe për studentët

21/10/2016

“Prania e UBT-së në Ferizaj është një punë e madhe dhe e suksesshme. Mbi të gjitha, do të jetë lehtësim i madh për studentët e këtij qyteti dhe qyteteve përreth”, ka thënë, të enjten, rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, në Ferizaj, gjatë ceremonisë rreth licencimit dhe të hapjes së degës së UBT-së në këtë qytet. Ai theksoi se zgjerimi i UBT-së në Ferizaj është rezultat i përkushtimit dhe i punës së palodhshme, për  rritje të cilësisë, kreativitetit e inovacionit. “Falë këtyre përpjekjeve, edhe suksesi i UBT-së dhe studentëve tanë ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë i pritur dhe i pranishëm’, ka thënë rektori Hajrizi. Në ceremoni ishin të pranishëm profesorë dhe studentë të UBT-së, ekspertë të huaj e vendorë, prindër si dhe mysafirë të tjerë. Rektori Hajrizi theksoi se ky institucion ka rritur infrastrukturën, cilësinë e stafit, cilësinë e studentëve, por edhe shtrirjen nëpër qytete të shumta të Kosovës, duke përfshirë Prishtinën, Lipjanin, Prizrenin dhe së fundmi, Ferizajn.

 

“Puna dhe zgjerimi i UBT-së nuk do të ndalet më kaq. Ne kemi edhe shumë punë për të bërë, në mënyrë që ta ruajmë epitetin e institucionit më të mirë të arsimit të lartë privat në Kosovë”, u shpreh Hajrizi, teksa falënderoi të gjithë kontribuuesit për rritjen dhe ngritjen e cilësisë së UBT-së. Drejtori për Çështje Akademike i UBT-së, Armend Muja tha se UBT është ndër institucionet më të suksesshme të arsimit të lartë në Kosovë dhe më gjerë. Sipas tij, këtë më së miri po e dëshmon shtimi i numrit të studentëve, partneriteti me shumë universitete, kompani e organizata vendore dhe të huaja, por mbi të gjitha, nevoja për shtrirjen e tij nëpër shumë qytete të Kosovës.

 

“Të jesh lider në arsim dhe edukim të gjeneratave, nuk është aspak e lehtë, sepse duhet punë dhe përkushtim shumë i madh, në mënyrë që studentët të kenë gjithçka që kanë nevojë”, tha Muja. Dekani i fakultetit të Infermierisë në UBT, Fitim Alidemaj tha se kjo është ndër ditët më të veçanta dhe më të rëndësishme për UBT-në, sepse puna dhe mundi është shpërblyer.

“Nevoja për shtrirjen e UBT-në në këtë qytet ka qenë e domosdoshme, sepse këtu gjenden shumë prindër dhe studentë, të cilët të ardhmen e tyre na e kanë besuar neve”, u shpreh Alidemaj. Zgjerimin e UBT-së në Ferizaj, me licnecim të programeve të reja,  e mirëpritën edhe prindërit dhe studentët e këtij qyteti.