Rektori Hajrizi shfaq kënaqësinë për sukseset e studentëve të UBT-së

16/03/2016

Prishtinë, 16 mars – Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, dy ditë pas fillimit të semestrit pranveror-veror të vitit akademik 2015/2016, duke uruar studentët, profesorët dhe gjithë stafin akademik, për fillim të mbarë, ka shfaqur kënaqësinë për rezultatet e treguara gjatë semestrit vjeshtor-dimëror. Ai i ka bërë këto vlerësime në një intervistë dhënë “Radio Campus”, të martën mbrëma. Sipas tij rezultate të mira janë treguar në të gjithë semestrat, porse, siç shprehet ai, i fundit ka qenë paksa më i veçantë. “Kishte shtim të konsideruar të studentëve, të stafit akademik, përmirësim të infrastrukturës, si dhe realizim të shumë punëve të tjera akademike”, tha Hajrizi.

 

Ndër rezultatet e studentëve që ai i ka përmendur është përmirësimi i një gabimi në Google, bërë nga një student i UBT-së. Si sukses tjetër i UBT-së është se shumë studentë kanë fituar bursa për të studiuar në universitete të ndryshme evropiane. Ka përmendur gjithashtu vizitat nëpër kompani të mëdha të studentëve, si rezultat i punëve proaktive të tyre. “40 studentë të UBT-së, pas një ftese nga ekspertë të ndërmarrësisë, për t’i involvuar në një institucion të kësaj natyre, të gjithë e kanë plotësuar kriterin, që ishte befasi edhe për hartuesit kritereve, të cilët mbase kanë pritur që do të ketë më pak”, ka thënë Hajrizi, duke e shfaqur hapur lumturinë e tij “që studentët e UBT-së  po bazohen në vlera dhe po punojnë për të shkuar tutje”. Ka zënë ngoje edhe shumë konferenca që janë mbajtur dhe në të cilat janë trajtuar tema të ndryshme. “Ishte një semestër shumë i suksesshëm”, theksoi ndër të tjera rektori Hajrizi, duke uruar për më shumë rezultate për semestrin vijues.