Rektori Hajrizi priti në UBT ekspertin e njohur ndërkombëtar, Tal Catran

07/03/2022

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, ka mirëpritur në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, sipërmarrësin dhe ekspertin e njohur ndërkombëtar, Tal Catran.

 

Në vizitën e tij në UBT, eksperti i njohur ndërkombëtar i marketingut dhe sipërmarrësisë, Tal Catran, së bashku me rektorin Hajrizi, kanë zhvilluar një diskutim me temën: “Ndërmarrësia Inovative – Shembulli i Kosovës dhe Izraelit si #StartUpNation”, e me të cilin kanë folur lidhur me teknologjinë, reziliencën, ndërmarrësinë e tema të ndryshme që lidhin fusha me interes për të dyja palët.

 

Në diskutim e sipër, rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, ka shtjelluar ekosistemin e UBT-së, rëndësinë e tij si dhe efektin e madh që ka krijuar ky ekosistem në shoqëri.

 

“Misioni jonë është të ndërtohet një ekosistem i dijes dhe inovacionit që të jemi të dukshëm në ekosistemin global të ndërmarrësisë, e që më pastaj ndikon pozitivisht tek e gjithë shoqëria”, ka thënë rektori Hajrizi.

 

Sipërmarrësi i njohur ndërkombëtar, Tal Catran, theksoi disa pika të rëndësishme të ndërmarrësisë, vetëiniciativës, gjenerimit të vlerave dhe proaktivitetit, teksa inkurajoi të rinjtë që të ndërmarrin iniciativa të reja për të krijuar dhe zhvilluar tutje, bazuar në mundësitë që ofron ekosistemi i UBT-së.

 

“Ndërmarrësia është diçka që mësohet, por çka është e rrallë është një ekosistem përkrahës, një model, një shtytje që të motivon për të shkuar përpara”, ka thënë Tal Catran.

 

Eksperti i njohur ndërkombëtar, Tal Catran vizitën e tij do ta vazhdojë për dy ditë të tjera në qytetin e Korçës, nga ku do të ketë mundësi që të vizitojë qendrën e inovacionit dhe të teknologjisë të menaxhuar nga UBT, “Korça Innovation & Technology Hub”.