Rektori Hajrizi priti në takim profesorë të “Universidad Nacional de Asunción” nga Paraguai

07/06/2022

Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, ka mirëpritur në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, profesorët nga Bullgaria, Galia Marinova dhe Vasssil Guliashki, profesorët e “Universidad Nacional de Asunción”, nga Paraguai, Cesar Lezcano dhe Larizza Delorme, si dhe studentin, Eduardo Arrua.

 

Në kuadër të vizitës së tyre në UBT u zhvillua edhe një diskutim me studentët dhe stafin e UBT-së, përmes së cilit profesorët nga Paraguai, Cesar Lezcano dhe Larizza Delorme, së bashku me studentin Eduardo Arrua, prezantuan historikun e themelimit të shtetit, gjeografinë e tij, pushtimeve dhe ndryshimeve në këtë shtet, si dhe për detaje të tjera që lidhen me këtë shtet.

 

Ndër të tjera, përgjatë diskutimit, rektori Hajrizi, tregoi mbi të arriturat e UBT-së në shkencë, teknologji dhe inovacion, si një nga institucionet e arsimit të lartë në Kosovë, që u ka mundësuar të rinjve arsimim cilësor, kushte moderne dhe standarde ndërkombëtare.

 

Në këtë diskutim u vu theksi mbi nevojën e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve arsimore në mes Kosovës dhe Paraguait, si dhe shteteve tjera, për të shkëmbyer ide, të cilat do të ndihmonin në përmirësimin e kushteve dhe në një arsimim sa më cilësor për të rinjtë.