Rektori Hajrizi priti në takim presidentin e Mercy College of Health Sciences nga Iowa

21/09/2018

Rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi, ka pritur në takim presidentin e Mercy College of Health Sciences nga Iowa, në SHBA, Douglar Fiore, pasi ky i fundit ka realizuar një vizitë në Kosovë për të gjetur partnerë potencialë për investim dhe si një të tillë e ka parë UBT-në.

Gjatë këtij takimi është biseduar mbi mundësitë e bashkëpunimit institucional në fushën e shëndetësisë, si dhe kanë diskutuar mbi mundësinë e realizimit të investimeve dhe projekteve të përbashkëta në dobi të të dy institucioneve, duke qenë se përveç veprimit konform standardeve evropiane, programet mjekësore në UBT kanë për bazë edhe standardet amerikane, gjë që krijon lehtësira për studentët tanë, të cilët pas studimeve të kenë mundësi të kryejnë praktikë edhe në Amerikë.

Presidenti Douglar Fiore ka vizituar edhe Kampusin Inovativ, përkatësisht Poliklinikën e UBT-së, e pajisur me laboratorë dhe infrastrukturë moderne, teksa shfaqi gatishmërinë për pjesëmarrje edhe në konferencën ndërkombëtare të UBT-së, që do të organizohet në tetor të këtij viti.

Mercy College of Health Sciences është universitet që ka traditë akademike 115 vjeçare dhe që momentalisht studentët e këtij institucioni janë ndër më të mirët në fusha të ndryshme të shëndetësisë, ku përfshihen infermierë, asistentë të terapisë fizike, teknologë, radiologë, teknologë kirurgjikalë, asistentë mjekësorë, sonografë mjekësorë, paramedikë dhe udhëheqës në administratën shëndetësore.