Rektori Hajrizi priti në takim kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni

08/04/2022

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, ka mirëpritur në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, të parin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.

 

Në këtë takim, rektori Hajrizi së bashku me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, kanë diskutuar për mundësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të mëtutjeshëm të dy institucioneve, në sfera të ndryshme të jetës me interes për të dyja palët.

 

Rektori Hajrizi ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Komunën e Gjilanit me të gjitha resurset që ka në dispozicion UBT, për të zhvilluar edhe më tutje në sferat ku ka nevojë qyteti i Gjilanit.

 

Me këtë rast, rektori Hajrizi ka thënë se si UBT janë shumë të interesuar për të krijuar konceptin e zhvillimit regjional me një qasje inovative të quajtur “Place based Innovation Ecosystem”.

 

“Jemi shumë të lumtur që kemi një lidership të hapur të qeverisjes lokale, në këtë rast me Gjilanin që të vazhdojmë bashkëpunimin dhe të kemi mundësi të krijojmë projekte konkrete. Natyrisht koncepti jonë është përkrahja në kapacitete, qoftë testuese, simuluese, analiza, edhe në përkrahje intelektuale dhe të ekspertizës, ku vendimmarrja të jetë më e shpejtë, më e lehtë, më e qartë dhe më e matshme tek problemet komplekse”, ka thënë rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi.

 

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka thënë se komuna që ai drejton është duke e vazhduar bashkëpunimin me UBT-në, përderisa ka shtjelluar edhe vizionin e tij për zhvillimin e Komunës së Gjilanit, ku kontribut do të jap edhe UBT.

 

“Ajo çfarë kemi kërkuar bashkëpunim konkret me UBT-në ka të bëj me zonën ekonomike dhe me pjesën e planifikimit dhe pjesën infrastrukturore. Sa i përket zonës ekonomike ne e kemi bërë një lloj identifikimi të parcelave, ndërkaq tash na mbetet që bashkë me stafin e UBT-së të bëjmë një lloj fizibiliteti, një lloj studimi për arsyeshmërinë, për pikat e forta që ka komuna jonë, për sferat dhe fushat e operimit të bizneseve, një lloj dizajnimi/modelimi të vet zonës ekonomike dhe një lloj qëndrueshmërie në kohë të saj, në mënyrë që të garantohet edhe zhvillimi ekonomik edhe zhvillimi i bizneseve, por në të njëjtën kohë këto dyja bashkë të ndikojnë drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve në Gjilan”, ka thënë i pari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.

 

UBT dhe Komuna e Gjilanit vazhdojnë të bashkëpunojnë në projekte të përbashkëta me interes të të dyja palëve, me theks në zhvillimin e Komunës së Gjilanit përmes resurseve që posedon UBT.