Rektori Hajrizi prezanton festivalin më të madh akademik të dijes në Evropë “Global UBT Fest 2021”

24/06/2021

Rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi ka prezantuar para mediave festivalin më të madh akademik të dijes në Kosovë dhe Evropë “Global UBT Fest 2021”.

 

Në një konferencë për media, rektori Hajrizi ka thënë se ky festival ka zgjuar një interesim të madh te studentët, duke iu dhënë hapësirë atyre që të argëtohen dhe mësojnë nga një pikëpamje tjetër e shkencës dhe inovacionit.

 

“Studentët nga Kosova, rajoni dhe vende të ndryshme të botës, do të kenë mundësi përgjatë 30 ditëve të ndajnë përvojat e tyre, të mësojnë për tema të caktuara nga ekspertë vendorë e ndërkombëtarë të fushave të ndryshme, të ballafaqojnë idetë e tyre e të arrijnë në pika të përbashkëta që ndërlidhen me zhvillimin e qëndrueshëm dhe inovacionin si faktor determinues të kësaj gjenerate”, ka thënë rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi.

 

Ai ka shtuar se interesimi i madh i studentëve dhe profesorëve nga mbarë bota për të qenë pjesë e një festivali të tillë, siç është “Global UBT Fest 2021”, ka bërë që edhe këtë vit UBT të sjellë pikëpamje të reja përmes aktiviteteve të ndryshme.

 

“Në kuadër të “Global UBT Fest 2021” do të kemi mbi 30 akademi verore, që nga fusha e shkencave kompjuterike e politike deri te agrikultura, bujqësia e shëndetësia. Nga realiteti virtual dhe imagjinata që ne kemi për shumëçka që na rrethon deri te tingujt e muzikës e ngjyrat e artit”, ka potencuar rektori Hajrizi.

 

“Global UBT Fest 2021” përveç akademive verore të cilat këtë vit do të vijnë me risi për secilën fushë veç e veç, do të përmbajë edhe forume, samite, gara, workshope, ekspozita, Start Up’, të cilat do të jenë përveç dije, shkencë dhe inovacion, në të njëjtën kohë edhe argëtim për të gjithë pjesëmarrësit.