Rektori Hajrizi prezantoi ekosistemin e UBT-së në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë

06/04/2022

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, me ftesë të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, ka prezantuar para rektorëve të universiteteve publike shqiptare, platformën e avancuar të arsimit 3.0 dhe konceptin për ndërtimin e ekosistemeve, duke marrë si shembull “UBT Small Scale Innovation Ecosystem”.

 

Ministrja e Arsimit dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë, Evis Kushi, vlerësoi lartë të arriturat e UBT-së dhe ajo kërkoi nga rektorët e universiteteve publike në Shqipëri që të fokusohen në projekte të përbashkëta.

 

“Ne duhet të bëjmë diçka bashkë“, u shpreh ministrja Kushi.

 

Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Albana Tole, gjatë prezantimit të UBT-së tha se UBT është një institucion i arsimit të lartë që ka krijuar një ekosistem dhe që ka një standard shumë të lartë të edukimit.

 

Rektori Hajrizi duke folur për të arriturat e fundit në fushën e teknologjisë, digjitalizimit, inteligjencës artificiale e realitetit virtual dhe të shtuar, tha se zhvillimet e viteve të fundit në këto fusha kanë bërë që të kemi gjenerim të jashtëzakonshëm të dijeve të reja në secilën fushë, më shumë se kurdoherë më parë.

 

Hajrizi propozoi që Kosova dhe Shqipëria të ndërtojnë së bashku Qendrën e Ekselencës.

 

“Jam këtu për të shprehur dëshirën dhe vullnetin tim e të institucionit që përfaqësoj për bashkim të potencialeve tona arsimore e shkencore për të gjeneruar dije të reja e të arritura të përbashkëta në secilën fushë“, u shpreh rektori Hajrizi për të vazhduar pastaj me një debat shumë përmbajtësor me rektorët e universiteteve shqiptare mbi të ardhmen e arsimit të lartë në hapësirat shqiptare.

 

Ndër të tjerash, rektori Hajrizi shprehu gatishmërinë e UBT-së për të ofruar platformat digjitale për të gjitha institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri.