Rektori Hajrizi pjesë e panelit të diskutimit në konferencën “Java e të mësuarit gjatë gjithë jetës”

19/11/2018

Rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi ka marrë pjesë në konferencën “Java e të mësuarit gjatë gjithë jetës”, ku ka qenë pjesë e panelit të diskutimi për të folur për ndërlidhjen e aftësimin profesional, për certifikimin dhe inovacionin.

Në këtë konferencë rektori Hajrizi, ka treguar se institucioni ka krijuar kapacitete dhe infrastrukturë moderne ngjashëm me ato të shteteve evropiane, si dhe vlerësoi se UBT është model për sjellën e frymës teknologjike dhe trendëve të reja, si në trajnime ashtu edhe në programe akademike.

“UBT ka krijuar një sistem gjithëpërfshirës arsimor ku u mundëson gjithë studentëve të  Republikës së Kosovës qasje të barabartë në arsimim në të gjitha nivelet. Gjithashtu sistemi që ofron institucioni u mundëson edhe shkathtësi për gjatë gjithë jetës, dije të avancuar e të integruar në shoqërinë evropiane. Në statistikat e fundit, mbi 90% e studentëve dhe ish-studentëve të UBT-së janë punësuar në tregun vendorë dhe ndërkombëtarë të punës”, ka thënë Hajrizi.

Rektori Hajrizi theksoi se arsimi nuk përfundon me një diplomë, por sipas tij, vazhdon edhe me mbajtjen e trajnimeve profesionale. Ai shtoi se UBT ofron trajnime të akredituara në shumë profile.

“Cilësia është aspekti thelbësor, jo diploma ose certifikata, andaj cilësia gjithnjë ka qenë prioritet në UBT, si dhe konsideroj që duhet të investohet në cilësi sepse edhe Kosova do të ketë rritje ekonomike. Megjithatë, përmes projekteve të përbashkëta, konkretisht trajnimeve ose seminareve, ne u kemi krijuar mundësi dhe kushte rinisë kosovare për t’u zhvilluar dhe aftësuar në fushat përkatëse. Kemi mbi 100 specializime që i ofrojmë në programe akademike, qendrën e trajnimeve, Institutin e Gjuhëve të huaja, Qendrën e Karrierës, laboratorë inovativ etj.”, potencoi rektori Hajrizi.

Në kuadër të kësaj konference është organizuar edhe panairi “Promovimi i mësimit gjatë gjithë jetës”, me ç’rast UBT do të informojë vizitorët përgjatë dy ditëve lidhur me shkollat profesionale dhe trajnimet që ofrohen nga institucioni.

Aktivitetet e Javës së të mësuarit gjatë gjithë jetës organizohen nga Instituti për Bashkëpunim Ndërkombëtar i Shkollave të Larta Popullore Gjermane (DVV International), në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, OJQ , etj.