Rektori Hajrizi përfaqëson Kosovën në forumin Asambleja Digjitale 2018

28/06/2018

Rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi ka marrë pjesë në forumin “Asambleja Digjitale 2018”, që u organizua nga Komision Evropian dhe Presidenca Bullgare e Këshillit të Bashkimit Evropian.
Forumi u mbajt më 25-26 qershor, në Sofje të Bullgarisë dhe morën pjesë më shumë se 1000 palë të interesit dhe politikëbërës të nivelit të lartë, të cilët diskutuan për politikën digjitale të BE-së dhe implikimet e zhvillimeve të fundit teknologjike.

Komisioni Evropian, së bashku me përfaqësues nga gjashtë partnerë të Ballkanit Perëndimor, ku përfshihen Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia, janë bërë bashkë që të mbështesin tranzicionin e rajonit në një ekonomi digjitale.
Bashkëpunimi mes të gjitha këtyre palëve ka ndikuar në lancimin e programit Agjenda Digjitale për Ballkanin Perëndimor.
Kjo iniciativë pritet t’i sjellë qytetarëve të Evropës përfitimet të shumta, siç është rritja më e shpejtë ekonomike, më shumë vende pune dhe shërbime më të mira.

Agjenda digjitale do të mbështesë vendosjen e mjeteve të e-qeverisjes, e-prokurimit dhe e-shëndetësisë, si dhe do të ndihmojë në rritjen e shkathtësive digjitale midis qytetarëve.
Kjo do të bëhet duke e mbështetur përfshirjen dhe përfaqësimin e Ballkanit Perëndimor në nismat dhe ngjarjet e BE.

Agjenda digjitale për Ballkanin Perëndimor është një përpjekje e përbashkët e gjashtë partnerëve të Ballkanit Perëndimor dhe Komisionit Evropian, që u prezantua më 6 shkurt 2018.