Rektori Hajrizi në Konferencën e Selanikut për edukim planifikim

16/03/2016

Prishtinë, 16 mars – UBT-ja, si e vetme e Kosovës, e përfaqësuar nga rektori, prof..dr. Edmond Hajrizi, ka marrë pjesë në Konferencën vjetore AESOP (Asociacioni i Shkollave Evropiane për Planifikim). Moto e kësaj Konference është promovimi i përsosmërisë në edukimin për planifikim dhe kërkim.  

Takimi është mbajtur fundjavën që shkoi në Selanik të Greqisë. Në këtë tubim ndërkombëtar është folur kryesisht për planifikimin, gjegjësisht për qartësimin e kompetencave profesionale në këtë fushë. “Edukimi për planifikim urban është i domosdoshëm edhe në Kosovë. Kjo nënkupton që duhet të qartësohen kompetencat profesionale, në mënyrë që më lehtë të vlerësohet profesioni”, ka theksuar profesor Hajrizi pas kthimit në Kosovë. Ai ka shtuar se UBT-ja ka dhënë kontribut të pakontestueshëm në debat, lidhur me zhvillimin e standardeve të ekselencës për edukimin e planifikimit urban. AESOP është themeluar në vitin 1987, në Belgjikë, si një asociacion ndërkombëtar jo-fitimprurëse, me qëllime shkencore, artistike dhe të edukimit.

 

Statuti i këtij asociacioni është bërë zyrtar në Dortmund të Gjermanisë, kurse objektivat kryesore janë që të përfaqësohen interesat e shkollave të planifikimit në Evropë, në administratat kombëtare dhe ndërkombëtare dhe veçanërisht të organizatave brenda Evropës. Qëllimi kryesor i asociacionit në fjalë është për të nxitur zhvillimin e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor në fushën e planifikimit, për të mbrojtur çështjen e zgjerimit dhe të përmirësimin e arsimit të lartë në aspektin e planifikimit etj. Konferencat për këtë çështje mbahen në të gjitha shtetet pjesëmarrëse.