Rektori Hajrizi mori pjesë në shënimin e 70-vjetorit të Institutit “Jozef Stefan”, në Slloveni

26/03/2019

Me ftesë zyrtare të Institutit për Kërkim Shkencor “Jozef Stefan”, në Slloveni, në mesin e shumë hulumtuesve shkencorë të njohur në botë, rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi ka marrë pjesë në aktivitetet dhe ceremoninë kryesore për shënimin e 70-vjetorit të themelimit të këtij institucioni shtetëror.

 

Kjo ceremoni u organizua me qëllim të popullarizimit të shkencës dhe inovacionit, teksa në këtë ngjarje pjesëmarrës ishte edhe kryetari i Sllovenisë, Borut Pahor.

 

Me këtë rast, pjesëmarrësve u janë prezantuar të gjeturat e fundit të hulumtimeve në fushën e komunikimit, teknologjisë kompjuterike, teknologjisë mjedisore, bioteknologjisë, inxhinierisë bërthamore, etj.

 

Më pas, rektori Hajrizi ka zhvilluar takime me përfaqësues të institucioneve me renome ndërkombëtare në Slloveni, të cilët kanë shprehur interesimin dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar me UBT-në.