Rektori Hajrizi mori pjesë në Panairin e Kulturës dhe Shkencës

11/01/2021

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, ishte i ftuar në Panairin e Shkencës dhe Kulturës, ku u diskutua për arsimin gjatë kohës së pandemisë COVID-19.

 

Në këtë diskutim, rektori Hajrizi theksoi rolin që UBT kishte në arsim gjatë kohës së pandemisë, duke vazhduar të gjitha ligjëratat dhe provimet në formën online, falë teknologjisë që UBT posedon dhe gatishmërisë për sfidat e reja teknologjike që e ardhmja mund t’i sjellë.

 

“Ne si UBT duke përcjellë trendet e teknologjisë, pasi që ne edhe njihemi për nga teknologjia, kemi bërë një përgatitje të mëhershme, pasi që pritjet tona për mësimin online,  mësimin në distancë, komunikimin, punës në distancë, ekipeve të punës virtuale, do të ndodhin dhe kanë për të ndodhur edhe pa pandeminë”, ka thënë fillimisht rektori Hajrizi.

 

Tutje, prof.dr. Edmond Hajrizi, ka thënë se në të ardhmen mësimi në distancë do të jetë metodë e re e komunikimit mes studentëve dhe profesorëve, një ndryshim që do të vjen si shkak i zhvillimit të teknologjisë.

 

“Gjatë viteve të ardhshme për shkak të zhvillimit të teknologjisë, ne do të kemi një transformim të sjelljeve në punë, sjelljeve në edukim, formave të ofrimit të shërbimeve, dhe pa mëdyshje që edukimi nuk do të eliminohet në këtë transformim”, ka thënë prof.dr. Edmond Hajrizi.

 

Panari i Shkencës dhe Kulturës, organizohet nga Lëvizja Koha, teksa këtë vit është duke mbajtur edicionin e nëntë të saj.