Rektori Hajrizi merr pjesë në konferencën “Menaxhimi i Avancuar i Traumës”

28/04/2017

 Rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi është duke marrë pjesë në konferencën e parë ndërkombëtare “Menaxhimi i Avancuar i Traumës”, që po mbahet në Durrës të Shqipërisë.

 

Konferenca është organizuar nga Universiteti shtetëror “Aleksandër Moisiu” dhe UBT, me qëllim të rritjes së njohurive dhe aftësitë të atyre që kujdesen për pacientët e sëmurë dhe të lënduar në spitalet rurale, urbane dhe ato periferike.


Me këtë rast, rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi tha se mjekësia është njëra ndër fushat më të rëndësishme, andaj, sipas tij, kërkohet punë dhe përkushtim në krijimin dhe përgatitjen e kuadrove të reja, që do të ndikojnë në rritjen e cilësisë së ofrimit të shërbimeve dhe ndihmës mjekësore.


“Si institucione arsimore, është përgjegjësi e jona që të përgatisim të rinj, të cilët do të jenë të përkushtuar ndaj njerëzve dhe profesionit të tyre, prandaj ne duhet të ofrojmë shembujt më të mirë për ta, në mënyrë që ata të bëhen shembuj për gjeneratat që do të vijnë pas tyre”, vlerësoi rektori Hajrizi.


Në këtë konferencë morën pjesë mjekë, infermierë, stomatologë, përfaqësues institucioneve shtetërore dhe atyre arsimore, si dhe ekspertë tjerë të kësaj fushe.