Rektori Hajrizi i uron suksese Majlinda Kelmendit në detyrën e trajneres

06/12/2021

Kampionia olimpike në xhudo, Majlinda Kelmendi, e cila e shkroi me shkronja të arta historinë e Kosovës në arenën ndërkombëtare e përmbylli sot në mënyrë madhështore karrierën e saj.

 

Presidenti i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, e ka vlerësuar lartë kontributin e jashtëzakonshëm të xhudistes Majlinda Kelmendi në ngritjen e sportit kosovar të xhudos në piedestalin botëror, ku ajo me fitoret e medaljet e arta lartësoi më lartë e më shumë se kushdo tjetër flamurin e Kosovës.

 

“Majlinda është krenaria jonë kombëtare, motivuesja dhe inspiruesja më e madhe e rinisë sonë për të arritur majat e suksesit në arenën ndërkombëtare. Ajo e arriti këtë me punë e përkushtim ndërsa luftoi me guxim e dashuri të madhe për t’i sjellë rezultate të arta Kosovës”, u shpreh Hajrizi duke e uruar për vazhdim të sukseseve edhe në detyrën e trajnerës.

 

Presidenti Hajrizi beson fort që shkathtësitë dhe talentin e saj kampionia jonë olimpike ta shpërndajë edhe me gjeneratat e reja të UBT-së ku ajo është e angazhuar si mësimdhënëse dhe trajnere duke e bërë sportin e xhudos pjesë përbërese te kurrikulës.