Rektori Hajrizi e përfaqësoi Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të EOQ-së

28/06/2018

 

Rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi e ka përfaqësuar Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës Evropiane të Cilësisë (EOQ), që u mbajt në Paris të Francës.
Ai e përfaqësi vendin në cilësinë e presidentit të organizatës “Quality Kosova”, përmes të cilës Kosova edhe u pranua dhe u bë anëtare me të drejta të plota në EOQ.

Temë kryesore e diskutimit në këtë takim ishte plotësimi i kritereve të cilësisë në inovacion dhe kënaqësi të klientëve, të cilat vazhdojnë të mbesin vlerat më të rëndësishme dhe më me interes në botë.
Me këtë rast, Hajrizi u shpreh se ndërmarrjet dhe institucionet e Kosovës duhet të investojnë shumë më tepër për të ngritur aftësitë konkurruese.
“Kosova ka edhe shumë punë për të bërë për t’u ndjerë e trajtuar të barabartë në treg me të gjithë konkurrentët në mbarë botën dhe për t’u dhënë kushte të barabarta të gjithë investitorëve vendorë”, vlerësoi ai.

Ai pati edhe dhjetëra takime me përfaqësues të vendeve të ndryshme të Evropës., të cilët shprehën gatishmërinë e tyre të plotë për bashkëpunim dhe shkëmbim të përvojave.
Po ashtu, gjatë këtij takimi u vendos që mbledhja e radhës e Këshillit të Përgjithshëm të EOQ-së të mbahet në Kosovë, në qershor të vitit të ardhshëm.

Kosova u bë anëtare me të drejta të plota në Organizatën Evropiane të Cilësisë (The European Organization for Quality) në vitin 2009.
EOQ është organizatë ndërdisiplinore evropiane që përpiqet për përmirësim efektiv në sferën e cilësisë në kuptimin e saj më të gjerë, duke vepruar si organ koordinues dhe katalizator i Organizatave të Përfaqësuesve Kombëtare brenda saj.
Brenda rrjetit të organizatave nga vende të ndryshme nga e mbarë bota, janë të lidhur me qindra mijëra ekspertë dhe kompani në fushën e cilësisë.