Rektori Hajrizi diskuton rreth të ardhmes në shëndetësinë digjitale në MedTech & Digital Health Kosova 2026

16/06/2026

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë në forumin “MedTech & Digital Health Kosova 2026”, një nga ngjarjet më të rëndësishme në vend kushtuar teknologjisë mjekësore, shëndetësisë digjitale dhe inovacionit në sektorin e kujdesit shëndetësor.

Në panelin “Innovation in MedTech and Digital Health: Scaling Solutions from Startups to Hospitals”, ku morën pjesë ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë nga fusha e shëndetësisë, teknologjisë dhe inovacionit, Rektori Hajrizi ndau perspektivat e tij mbi transformimin digjital të mjekësisë dhe sfidat që e shoqërojnë këtë proces.

Ai theksoi se zhvillimi teknologjik po ecën me ritme shumë më të shpejta sesa sektorët e tjerë, duke krijuar mundësi të reja për avancimin e shërbimeve shëndetësore, por njëkohësisht edhe sfida të shumta në implementimin e tyre.

“Teknologjia sot është shumë përpara shumë aspekteve të tjera të sistemit. Në mjekësi kemi një rritje të jashtëzakonshme të inovacionit, mirëpo implementimi i këtyre teknologjive kërkon kapacitete, investime dhe staf të specializuar”, tha Rektori Hajrizi.

Ai përmendi investimet e vazhdueshme në infrastrukturën shëndetësore dhe laboratorike në UBT, përfshirë zhvillimin e programeve inovative në shkencat mjekësore, të cilat krijojnë mundësi të reja për profesionistët e ardhshëm në tregun evropian të punës.

Sipas Hajrizit, mjekësia mbetet një nga fushat më komplekse, por edhe më inovative, pasi në qendër të saj qëndron njeriu dhe mirëqenia e tij. Ai vlerësoi se teknologjitë e reja, inteligjenca artificiale dhe transformimi digjital mund të sjellin një revolucion të ri në kujdesin shëndetësor, por vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve, shtetit, universiteteve dhe industrisë.

“Në fund, mjeku mbetet vendimmarrësi kryesor. Teknologjia është një mjet i fuqishëm mbështetës, por përgjegjësia profesionale dhe vendimi klinik mbeten tek profesionistët e shëndetësisë”, u shpreh ai.

Forumi “MedTech & Digital Health Kosova 2026” mblodhi përfaqësues të institucioneve shëndetësore, ekspertë të inteligjencës artificiale, profesionistë të sigurisë kibernetike, akademikë dhe liderë të industrisë, duke shërbyer si platformë për diskutimin e zgjidhjeve inovative që po formësojnë të ardhmen e kujdesit shëndetësor në Kosovë dhe rajon.