Reagim lidhur me artikullin “Skadon afati për “universitetet” private”, botuar në gazetën “Kosova sot”, datë 29 korrik 2015

30/07/2015

Gazeta “Kosova sot” ka publikuar të mërkurën në faqen 11 të saj një artikull me titull “Skadon afati për “universitetet” private”.

Në të, pa kurrfarë baze dhe duke mos u mbështetur në asnjë fakt a dokument konkret, autori B.Zyberi thekson: “Inspektorati i Arsimit ka vërtetuar se kolegji “UBT” nuk ka akreditim për programet e shkencave kompjuterike, Juridik/LLB dhe Arkitekturë”.


Është indikative se si, në  një tekst që nuk ka për temë akreditimin, por merret me emërtimet e kolegjeve, gazeta nxjerr një konstatim krejt të pasaktë, të pambështetur në fakte, për të mos thënë tendencioz dhe qëllimkeq.

UBT thekson se të tri programet e studimit në UBT, që i ka apostrofuar gazeta, Shkenca kompjuterike, Juridik/LLB dhe Arkitekturë janë programe të akredituara dhe të riakredituara disa herë deri tash.

Programi Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, i akredituar më herët, është i riakredituar deri në vitin 2016. Sipas vendimit të Agjencisë së Akreditimit e Kosovës të vitit 2013, ky program, për nivelet bachelor dhe master është i riakredituar për periudhën 1 tetor 2013 – 30 shtator 2016.

Programi Juridik/LLB (me specializime në: Civil, Penal dhe Ndërkombëtar), gjithashtu me akreditime të mëhershme, është riakredituar për periudhën 1 tetor 2014 – 30 shtator 2019.


Programi Arkitekturë, po kështu i akredituar më herët, në vitin 2013 është riakredituar për periudhën 1 tetor 2013 – 30 shtator 2017.

Prandaj, theksojmë se këto tri programe janë akredituar dhe janë riakredituar disa herë deri tash nga Agjencia e Akreditimit e Kosovës. Ato madje janë lidere në Kosovë dhe në regjion dhe kjo dëshmohet me programet akademike, bashkëpunimet ndërkombëtare, rezultatet në gara me karakter ndërkombëtar, konferencat e shumta ndërkombëtare të organizuara nga UBT apo konferencat e ngjarjet e tjera ndërkombëtare, në të cilat UBT me dhjetëra herë e ka përfaqësuar Republikën e Kosovës, anëtarësimet në institucionet akademike ndërkombëtare, në shumë prej të cilave UBT është i vetmi përfaqësues i Kosovës dhe i rajonit, dhe shumë elemente të tjera.


Nëse gazeta është mbështetur në konstatimin e Inspektoratit të Arsimit lidhur me UBT-në në Ferizaj, sërish konstatimi është i pasaktë, pasi këto tri drejtime në Ferizaj janë gjithashtu të akredituara, por janë në proces të licencimit.

Vendimi i Agjencisë së Akreditimit i datës 04.07.2014 vërteton se “Periudha e akreditimit të programeve të studimit në degën e Ferizajt është e njëjtë me periudhën e akreditimit në qendër”. Pra, edhe ky konstatim, në të cilin mund të jetë mbështetur gazeta, është i pasaktë.

 

UBT ka kërkuar nga gazeta që sqarimin ta publikojë në vend të dukshëm dhe që, në rastet e tjera, të vërtetojë faktet përpara publikimit të artikullit.