Quality Kosova dhe Czech INVENT organizuan vizitë studimore në Çeki

27/06/2013

Prishtinë 27 qershor 2013-  UBT- “Quality Kosova” në bashkëpunim me “Czech INVENT”,  gjatë këtij fund muaji për 5 dite më radhë, organizuan një vizitë studimore në kryeqendrën e Republikës së Çekisë. 

 

 

Përveç kryetarëve të komunave të Republikës së  Kosovës,  të pranishëm në vizitë ishin edhe përfaqësues të Komunave pjesëmarrëse në kuadër  të trajnimit dhe akreditimit  të  zyrtareve komunale për tërheqje të  investimeve te huaja  direkte në Kosovë. 

 

 

Interesimi i palëve pjesëmarrës në vizitë ishte që për së afërmi ta shohin zhvillimin lokal, zhvillimin e zonave ekonomike, të parqeve, bizneseve, për të bërë promovimin e investimeve të huaja në rajonet e Republikës së Kosovës tek investitorët potencialë çekë.  Poashtu gjatë vizitës u diskutua  edhe për përvojat e mira ceke në fushën e planifikimit të zhvillimit afatmesëm strategjikë  në nivel  lokal, përvoja këto që nga zyrtarët  e Komunës  së Ferizajt u vlerësuan si të mirëseardhura  sidomos në kohën kur UBT është në  fazën finale te hartimit te Strategjisë për zhvillim afatmesëm të Ferizajt.

 

 

Sipas mendimit të përfaqësuesve të UBT-së,    dr. Ibrahim Krasniqit dhe can. dr. Lulzim Beqirit,   pjesëmarrësit kanë  përfituar shumë me faktin se në  mënyre direkte kanë  pasur rastin te shohin te arritura të  mëdha të komunave dhe kompanive Ceke në  sferën e zhvillimit dhe të  investimeve e që do të shërbejnë si model edhe për Komunat e Kosovës.

 

 

Quality Kosova është themeluar dhe drejtohet nga  UBT dhe e pranuar me të drejta të plota si anëtare e Organizatës Evropiane për Cilësi (Europian Organization for Quality).

 

 

Quality Kosova funksionon që nga viti 2006 dhe është asociacion që merret me çështjen e kualitetit, standardeve, certifikimeve dhe konfirmimit. Promovon cilësinë në Kosovë, në bazë të standardeve evropiane dhe ndërkombëtare, merret me certifikimin e sistemeve e produkteve, si ISO 9001 e të tjerë.