“Quality Kosova” bëhet anëtare e rregullt dhe me të drejta të plota e Organizatës Evropiane për Cilësi

26/12/2013

Prishtinë , 24 dhjetor 2013- Asociacioni kosovar “Quality Kosova” është pranuar si anëtare i rregullt dhe me të drejta të plota e Organizatës Evropiane për Cilësi (Europian Organization for Quality), në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj organizate, mbajtur në Stamboll të Turqisë.

 

 

Presidenti i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, që drejton edhe asociacionin “Quality Kosova”, këtë akt e ka quajtur si një sukses të madh në përfaqësimin e Republikës së Kosovës në institucione ndërkombëtare. Pas pranimit si anëtare e rregullt dhe me të drejta të plota Republikës së Kosovës i mundësohet të marrë pjesë në shumë forume dhe organizata të tjera ndërkombëtare të cilësisë.

 

 

Vlen të theksohet se pranimi i “Quality Kosova” përmes një porosie të shkruar në letër është tentuar të pengohej nga përfaqësues të Serbisë, për mos pranimin e Kosovës në këtë organizatë, por pranimi u mundësua falë votave më të shumta të 35 shtete evropiane pjesëmarrëse në Këshillin e Përgjithshëm të Organizatës Evropiane për Cilësi.

 

 

“Quality Kosova” funksionon që nga viti 2006. Ajo e ka bërë kërkesën për anëtarësim në Organizatën Evropiane për Cilësi, kërkesë që është aprovuar nga Bordi Ekzekutiv i Organizatës Evropiane për Cilësi në tetor të këtij viti. Pas kësaj, z. Hajrizi është ftuar për ta bërë prezantimin e “Quality Kosova” në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të këtij asociacioni, të mbajtur në Kiev.

 

 

Edhe në vitin 2008, pas prezantimit nga dr. Hajrizi të punës së “Quality Kosova”, Këshilli i Përgjithshëm votoi pro pranimit të “Quality Kosova” si përfaqësuese kombëtare e Kosovës në Organizatën Evropiane për Cilësi, ka pasur tendenca të pengohej nga përfaqësues të shteteve që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, por pranimi u mundësua falë votave më të shumta në Këshillin e Përgjithshëm të Organizatës Evropiane për Cilësi.

 

 

 

“Quality Kosova” është asociacion që merret me çështjen e kualitetit, standardeve, certifikimeve dhe konfirmimit. Ai promovon cilësinë në Kosovë, në bazë të standardeve evropiane dhe ndërkombëtare, merret me certifikimin e sistemeve e produkteve sipas standardeve ndërkombëtare, si ISO 9001 e të tjerë.