Qendra për Siguri Kibernetike dhe Privatësi e UBT-së pikë reference në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale

18/06/2015

Rektori i UBT-së, prof.dr.Edmond Hajrizi ka marrë pjesë në punëtorinë e organizuar në Prizren nga Agjencia e Kosovës për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Dedikuar mbrojtjes së të dhënave personale në fushën e shëndetësisë, konferenca u organizua në Prizren.

Dr. Hajrizi, duke qenë një nga folësit kryesorë në konferencë, prezantoi Qendrën për Siguri Kibernetike dhe Privatësi, e cila funksionon në kuadër të UBT-së dhe mundësitë që kjo qendër ofron në mbrojtjen e të dhënave personale në të gjitha fushat, me theks të veçantë në fushën e shëndetësisë.

Në cilësinë e partnerit të konferencës, e cila mblodhi rreth 180 pjesëmarrës, z.Hajrizi foli për sfidat në fushën e mbrojtjes së të dhënave dhe sigurinë kibernetike, në kohën e zhvillimeve të hovshme të teknologjisë.

Ai theksoi se Qendra për Siguri Kibernetike dhe Privatësi e UBT-së, e krijuar pas një përvoje dhe bashkëpunimi të gjatë me universitete dhe qendra ndërkombëtare të kësaj fushe, ofron ekspertë dhe ekspertizë profesionale vendore dhe ndërkombëtare në këtë fushë.

 

Ai gjithashtu tha se kjo qendër nuk ka synim që të jetë vetëm qendër e UBT-së, por ajo do të jetë një qendër nacionale, ku ndërlidhen palët e interesit.