Punimi shkencor i profesorit të UBT-së, Agron Thaqi, publikohet në revistën e edukimit fizik “VIREF”

13/09/2022

Punimi shkencor i profesorit të programit Shkencat e Sportit dhe të Lëvizjes në UBT, Agron Thaqi, me titull: “The effect of plyometric training on the anthropometric characteristics of the high school male students”, është publikuar në revistën e edukimit fizik “VIREF”, e indeksuar nga Web of Science – Scopus.

Studimi është realizuar me 220 nxënës vullnetarë meshkuj, të ndarë në grupe eksperimentale (n=110) dhe kontrolluese (n=110), të cilët ishin nxënës të Shkollës së Mesme “Fehmi Lladrovci” në Gllogoc, Republika e Kosovës. Mosha e nxënësve varionte nga 15-16 vjeç. Variablat antropometrikë janë matur duke përdorur pajisje të standardizuara para dhe pas një periudhe trajnimi dymbëdhjetë javore. Nxënësit e grupit eksperimental u trajnuan tre ditë në javë (e hënë, e mërkurë, e premte). Analiza e të dhënave është bërë me softuerin IBM SPSS Statistics 22.

Në funksion të rezultateve të këtij studimi, i cili synonte të verifikonte nëse ndodhin ndryshime në variablat antropometrikë tek nxënësit e shkollave të mesme që morën pjesë në një program pliometrik, është konkluduar se efekti i trajnimit pliometrik është rritur nga para në atë pas trajnimit. Trajnimi pliometrik sjell një efekt pozitiv në variablat antropometrike tek nxënësit e shkollës së mesme. Këto rezultate sugjerojnë rëndësinë e vlerësimit të variablave antropometrikë sipas rajonit të trupit në grupin e përfshirë në këtë program.

Në linkun në vazhdim mund të gjeni punimin e plotë të profesorit të UBT-së, Agron Thaqi: “The effect of plyometric training on the anthropometric characteristics of the high school male students”